Marinzë, dalin analizat zyrtare. ISHP: Uji, i ndotur me naftë

14/04/2015 00:00

Nga monitorimi i ujit në Patos-Marinzë, specialistë të Institutit të Shëndetit Publik konfirmojnë praninë e lëndëve toksike, ndaj iu kërkojnë banorëve të mos konsumojnë as ujin e ujësjellësit e as të puseve, për një afat të pacaktuar.

“Nga analizat që janë bërë, të cilat janë kryer në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka rezultuar që janë konstatuar nënprodukte të naftës në ujë. Jemi në ndjekje të vazhdueshme të çështjes. Do të merren herë pas here kampionë për të bërë analizat, deri në daljen e rezultateve negative, pra që këto lëndë të mos jenë të pranishme në ujin e pijshëm. Deri në atë periudhë, uji nuk do të lejohet të përdoret për konsum njerëzor. Në atë zonë, banorët kanë edhe puse familjare, ndaj dhe ata janë lajmëruar të mos e përdorin as ujin e puseve për asnjë lloj përdorimi, as për pastrime ambientesh apo për aspekte higjieno-sanitare”, shprehet Valbona Bara, shefe e sektorit të Ujit dhe Sanitetit, ISHP.

Bara shpjegon se nënproduktet e naftës, të cilat kanë rezultuar të pranishme në ujë, si dhe përqëndrimi i tyre shkaktojnë dëme të konsiderueshme në shëndetin e konsumatorit, deri dhe leuçemi  apo tumore të ndryshme, nëse ky ujë do të përdorej për një kohë të gjatë.

“Theksojmë se këto elementë, në rast konsumimi të ujit për një kohë të gjatë, mund të shkaktojnë edhe dëmtime të veshkave, irritime të rrugëve respiratore, tumore të ndryshme përfshi të lëkurës, sidomos pas kontaktit përmes ajrit, shqetësime këto që iu referohen literaturave botërore bashkëkohore. Shkaktojnë gjithashtu edhe anemi, edhe nëse janë në ekspozim afatshkurtër”, tha më tej Valbona Bara.

Instituti i Shëndetit Publik është duke bërë matje të vazhdueshme të ndotjes së ujit dhe, deri kur përqëndrimi i lëndëve toksike të rezultojë zero, atëherë do të njoftohen banorët për ta konsumuar ujin. Deri atëherë, banorët duhet të përdorin vetëm ujin e autoboteve, që ofrohet nga pushteti vendor dhe është i kontrolluar.

Rekomandime për banorët:
Në Marinzë të përdoret vetëm uji i autobotëve dhe ai i ambalazhuar

1- Për të pirë
2- Për gatim, larjen e enëve të kuzhinës, frutat dhe perimet
3- Për higjienë personale (duart, dhëmbët, dush)
4- Për bagëtitë
5- Uji i Ujësjellësit të përdoret vetëm për përdorim komunal (WC, dysheme).

Top Channel