Verifikimi i zyrtarëve publikë në Kosovë, proces i dështuar

14/04/2015 00:00

Procesi i verifikimit të zyrtarëve publikë me qasje në informata sekrete konsiderohet i dështuar nga organizatat, që përfaqësojnë shoqërinë civile në Kosovë.

Një raport i Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim bëri të ditur se shumë zyrtarë, që i janë nënshtruar verifikimit nuk u janë përgjigjur rezultateve, për shkak të mosbesimit në Agjencinë kosovare të Inteligjencës, që ka kryer këtë proces.

Rrjedhimisht, mospërfillja e procesit të verifikimit ka çuar drejt moszbatimit të ligjit për Verifikimin e Sigurisë. Sipas intervistave anonime në raport, disa institucione refuzojnë të pranojnë autoritetin e verifikimit, të udhëhequr nga AKI.

Kjo do të thotë, që institucionet nuk pranojnë të zbatojnë rezultatet dhe shumë prej të punësuarve të tyre shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u ankuar, kundër një testi të dështuar të verifikimit. Ankesat parashikohen të paraqiten në gjykatë. Shumë njerëz, të cilët kanë marrë rezultate negative të verifikimit, refuzojnë të lënë postet e tyre dhe paraqesin ankesa. Për shkak të kapaciteteve të tyre të ulëta, gjykatat janë të mbingarkuara me lëndë dhe pothuajse asnjë nga ankesat nuk është procesuar ende.

Raporti propozon, që Kosova të largojë Departamentin e Verifikimit nga AKI-ja dhe, në vend të kësaj, ta shndërrojë në një agjenci të pavarur, e cila do t’i raportonte Kuvendit të Kosovës, apo ta inkuadrojë në zyrën e kryeministrit. Largimi i Departamentit të Verifikimit nga Agjencia e Inteligjencës ka qenë kërkesë edhe e shefit të ri të AKI-së, Agron Selimaj.

Për dallim nga Lustracioni, që ka të bëjë me kërkimin e llogaridhënien për përfshirjen në të kaluarën në një regjim komunist, verifikimi i zyrtarëve në Kosovë përfshin hulumtimin për të kaluarën e zyrtarëve, me qëllim që personat, të cilët administrojnë një zyrë, të gëzojnë integritet dhe besueshmëri të mjaftueshme.

Top Channel