Hamendësimet për kandidatin e Tiranës

14/04/2015 00:00

Ajo që ra në sy gjatë vizitës dyditore të kryeministrit Edi Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, ishte përzgjedhja për të qenë pjesë e delegacionit e deputetit Blendi Klosi, një nga dy kandidatët e përfolur për Bashkinë e Tiranës, bashkë me Erjon Veliajn.

Përfshirja e Klosit në delegacionin e vizitës që i paraprin afatit të deklaruar të kryeministrit për të shpallur emrin e kandidatit të Tiranës, që është mesi i kësaj jave është bërë shkak për versione të ndryshme mediatike të vendimit që kryeministri do të mbajë pas vizitës në Abu Dhabi.

Nuk ka munguar as versioni se shoqërimi me Klosin në Emirate mund të jetë një sinjal për përzgjedhjen e emrit të tij, por më së shumti komentet në media kanë anuar nga fakti se kryeministri mund të ketë zgjedhur këtë si rast per t’i ofruar një mundësi tjetër Klosit, siç është posti i ministrit që mban Erjon Veliaj, pasi ky i fundit të zgjidhet kandidati i së majtës në bashkinë më të madhe në vend.

Për të gjitha këto hamendësime natyrisht ka qenë i vetëdijshëm edhe vetë kryeministri. Por se cila nga hamendjet mediatike do të prevalojë në formën e versionit zyrtar? Këtë Edi Rama pritet ta shpallë brenda 48 orëve të ardhshme. Gjasat janë që vendimi të jetë mësuar nga një pjesë e delegacionit, përfshi vetë Klosin, por edhe kryetarin e socialistëve në kryeqytet, ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, pjesë e delegacionit në vizitën pothuaj me karakter ekonomik të kryeministrit në Emirate.

Top Channel