Restaurimi i Fototekës Marubi

14/04/2015 00:00

Në qytetin e Shkodrës është nënshkruar “Memorandumi i Mirëkuptimit” ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, si dhe Bashkisë Shkodër, për restaurimin dhe muzealizimin e Fototekës kombëtare Marubi.

Nënshkrimi i hap rrugën fillimit të punimeve po këtë muaj. Qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 55 milionë lekësh, komuniteti evropian së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit rreth 470 mijë euro dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan plot 650 mijë dollarë.

“Ky projekt është një tjetër shembull i mënyrës së re të bashkëpunimit. Idea është të krijojmë një frymë bashkëpunimi mes Fondit amerikan, Qeverisë qendrore e asaj lokale, dhe aktorëve në komunitet, për të krijuar institucione që i japin diçka Shqipërisë”, u shpreh Michael D. Granoff, presidenti i Bordit të AADF.

Në këtë event, ministrja Kumbaro njoftoi se do të nisë edhe projekti për restaurimin e varrezave katolike të Shkodrës.

“Gjithashtu dua të përfitoj nga rasti që ndodhem në Shkodër, që të bëj të ditur edhe një projekt tjetër, që shumë shpejt do të fillojë realizimin në Shkodër. Ministria e Kulturës ka miratuar javën që shkoi projektin e restaurimit të varrezave katolike të këtij qyteti, jo thjesht një monument kulture, por një monument i historisë së jashtëzakonshme të Shkodrës në shenjë të lirisë, e të luftës kundër diktaturës që kemi bërë të gjithë bashkë”, deklaroi ministrja Kumbaro.

“Kemi një projekt me të vërtetë të parametrave europianë, i cili do të garantojë një muze shumë të përshtatshëm për turistët që vizitojnë Shkodrën, e në veçanti këtë zonë të qendrës së qytetit. Do të kemi parametra optimalë për ruajtjen e arkivës, një hapësirë më të madhe në dispozicion për arkivimin e fotografive”, tha Blendi Bushati, përfaqësues i FSHZH.

Fototeka Marubi ka një arkiv fotografik prej më shumë se 500 mijë fotosh dhe negativësh, të cilat janë ruajtur duke filluar nga shekulli i XIX.

Top Channel