Brezovica, së shpejti Qendër botërore e Skijimit

14/04/2015 00:00

Brenda një periudhe 17-vjeçare, Brezovica pritet të shndërrohet në një Qendër botërore të Skijimit dhe aktiviteteve të tjera.

Këto janë pritjet e Qeverisë së Kosovës, e cila në një ceremoni modeste nënshkroi kontratën koncesionare prej 410 milionë eurosh, me konsorciumin francez “MDP Consulting”.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se kjo është kontrata më e madhe në fushën e investimeve dhe është e rëndësishme, sepse ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Projekti do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik, para së gjithash në Komunën e Shtërpçes, por ajo në përgjithësi do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ajo që është tepër e rëndësishme për ne, si një vend që kemi nevojë për investime të huaja të drejtpërdrejta, është se implementimi me sukses i këtij projekti do të dërgojë definitivisht një sinjal edhe për investitorët e tjerë potencialë”, tha Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Kosovë.

Projekti parashikon punësimin e më shumë se 3000 personave, një pjesë e të cilëve pritet të jenë nga Komuna e Shtërpçes.

Kontrata do të hyjë në fuqi 6 muaj pas ditës së nënshkrimit. Në tri vitet e para janë planifikuar investime në vlerën e 165 milionë eurove, për të vazhduar me të tjerat për 17 vjet me radhë.

“Natyrisht, që ky projekt është shumë i madh për Kosovën dhe ne jemi shumë krenarë, që jemi përzgjedhur për realizimin e tij. Brezovica do të jetë më shumë se një qendër skijimi. Ne do ta bëjmë atë, që të jetë në funksion gjatë gjithë vitit. Do të angazhohemi, që ky projekt të jetë i klasit botëror, çka do të thotë se, ne do t’i përmbushim standardet ndërkombëtare, përfshirë cilësinë e shërbimeve, në mënyrë që ky projekt të shkëlqejë në Kosovë, Ballkan dhe më gjerë”, tha Pascal Roux, përfaqësues i konsorciumit “MDP Consulting”, “Compagnie des Alpes”, “PGI Management”.

Zyrtarët qeveritarë thonë se, mes të tjerash, kontrata parashikon zgjerimin e hapësirave dhe shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 kilometra, të pajisura me rreth 20 teleferikë me standarde të sigurisë dhe të cilësisë më të lartë në rajon.

Projekti i Brezovicës është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet e Serbisë, të cilat kanë qenë kundër privatizimit, pasi Brezovica ndodhet në komunën e banuar me shumicë serbe. Sidoqoftë, kryetari i Shtërpçes, Branislav Nikoliç ka qenë pjesë e komitetit drejtues dhe, sipas Qeverisë, është pajtuar me parametrat e kontratës.

Top Channel