Shkëndijat elektrike, që “kushtojnë” shtrenjtë…

14/04/2015 00:00

Ai është një rrezik, nga i cili pak kush mund të mbijetojë. Rrezik që, ndër vite ka shënuar tragjedi nga më të rëndat, duke mos kursyer në shumë raste edhe familje të tëra. Rastet e zjarreve, të shkaktuara shpeshherë nga shkëndijat elektrike, kanë rezultuar me pasoja të rënda.

19 Dhjetor 2007 – Duke u gdhirë ajo ditë, në Tiranë u shënua mbase një prej tragjedive më të rënda, si pasojë e zjarrit. 4 anëtarë të familjes Gutaj, nga Gjakova e Kosovës me banim në Tiranë, gjetën vdekjen teksa flinin gjumë. 30-vjeçarja Sadete Gutaj ndodhej në banesën e marrë me qira, në katin e 7 të një pallati në Komunën e Parisit, së bashku me 3 vajzat e saj; 10 vjeçe, 3-vjeçare dhe njëvjeçare. Kryefamiljari Haxhi Gutaj punonte si furrëtar gjatë orëve të natës dhe nuk ndodhej në shtëpi, në momentin e ngjarjes.

27 Qershor 2011 – Një 35-vjeçar nga Saranda humbi jetën në lavazhin ku punonte. Raqi Deneko gjeti vdekjen, pas një zjarri të shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, e cila u përhap me shpejtësi në linjën e korentit dhe përfundoi brenda pak sekondash në dorezën e larjes së automjeteve. Pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, i riu humbi jetën, pasi trupi i tij ishte karbonizuar në një përqindje të konsiderueshme.

4 Dhjetor 2011 – Zjarri i rënë në një familje në kryeqytet çoi drejt vdekjes 3 anëtarët e saj. Genci dhe Florida Spahiu, burrë e grua, si dhe vajza e tyre 5-vjeçe humbën jetën, ndërsa shpëtoi mrekullisht vajza e tyre dyvjeçare. Rasti u shënua në katin e tretë të një pallati 7-katësh, në rrugën “Derhemi” në Tiranë, rreth orës 23:00 të mbrëmjes. Sipas ekspertizës rezultoi se, shkak ishte bërë një shkëndijë elektrike në prizën e kondicionerit, që më pas ishte përhapur në rroba.

12 Nëntor 2014 – 74-vjeçari Xhevdet Hykollari, nga fshati Çermë i Lushnjes, u dogj brenda banesës së tij. Nga hetimet policore rezultoi se, zjarri kishte ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike nga një rezistencë, me të cilën i moshuari po ngrohej. Ai gjendej i vetëm në momentin e ngjarjes dhe ishin fqinjët, ata që njoftuan shërbimet zjarrfikëse, ndërhyrja e të cilëve ishte e kotë.

14 Prill 2015
– Mëngjesin e sotëm, një 80-vjeçar gjeti vdekjen si pasojë e një zjarri të rënë në banesën e tij. Spiro Papa, nga fshati Llazat i komunës Livadhja, jetonte në një banesë njëkatëshe, e cila u dogj plotësisht. I moshuari jetonte vetëm, pasi fëmijët punojnë si emigrantë në Greqi. Nga hetimet e deritanishme mësohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.

Top Channel