Eriola Luca, ndryshimi i jetës pas transplantit të veshkës…

14/04/2015 00:00

Sëmundja e veshkave ia shkatërroi familjen, por nuk e mposhti dot Eriola Lucën. 22-vjeçarja ishte në shtatzëninë e saj të parë, kur shqetësimet e kohës nuk mendoi se do të kishin pasoja shumë të rënda në shëndetin e saj.

“Kam dy vjet që e kam marrë vesh për sëmundjen. Gjatë shtatzënisë kisha shumë albuminë në veshka dhe tension të lartë. Për pasojë edhe fëmija lindi me probleme, por tani është mirë”, thotë Eriola.

Problemet shëndetësore të Eriolës vazhduan edhe pas lindjes së fëmijës. Mjekët, në qytetin bregdetar të Durrësit, nuk po e gjenin dot se cili ishte shkaku i tensionit të lartë.

“Erdhëm këtu në Tiranë, bëmë një eko dhe na thanë se i kisha veshkat të dëmtuara. Më e keqja, më thanë se si dihej edhe sa do të vazhdonin me mjekime. Zgjidhja ishte transplanti ose dializa”, tregon Eriola.

Gjendja shëndetësore sa vinte e rëndohej për 22-vjeçaren, të cilën për shkak të sëmundjes e divorcoi edhe bashkëshorti. E sikur të mos mjaftonte kjo, e reja bie në gjendje kome, e cila zgjati 10 ditë. Për 6 muaj ajo vazhdoi dializën, deri sa lajmi më i mirë për të erdhi: transplanti do të kryhej me financimin e shtetit.

“Dhuruesja e veshkës është mamaja ime, por edhe ajo tani është në gjendje të mirë. Isha shumë e lumtur, që më në fund gjeta një dhurues e s’do të vazhdoja më me dializë dhe me qëndrimet në spital”, thotë Eriola.

Në shtëpinë e prindërve të saj është rikthyer lumturia, vajza e dytë e familjes Luca ka rilindur, sërish ia mundësoi jetën mamaja e saj.

Top Channel