Messi dhe Ronaldo në të njëjtën skuadër

14/04/2015 00:00

Messi dhe Ronaldo mund të luajnë në të njëjtën skuadër në një të ardhme të afërt. Si do të bëhet e mundur kjo? UEFA po mendon për një ndeshje yjesh siç luhet çdo vit në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

Bëhet fjalë për një ndeshje miqësore me dy skuadra të përbëra nga futbollistët më të mirë të sezonit, të marrë nga të gjitha kampionatet europiane. Në NBA janë tifozët ata që zgjedhin lojtarët pjesëmarrës në All Star Game me anë të votave në internet. Ende nuk dihet si do të zgjidhen yjet e futbollit për këtë miqësore.

Sipas shtypit sportiv spanjoll, do të mund të luajnë jo më shumë se 2-3 lojtarë nga e njëjta skuadër, në mënyrë që të ketë një përfaqësim sa më të gjerë.

UEFA po mendon për një ndeshje Veriu kundër Jugut. Pra, kampionati anglez, kampionati gjerman, kampionati rus dhe kampionati holandez kundër kampionatit spanjoll, kampionatit francez, kampionatit italian dhe kampionatit portugez.

Mendohet se projekti mund të vihet në jetë në vitin 2017.

Top Channel