Serbia i ka rekomanduar investitorëve, në qendrën e skijimit të Brezovicës në Kosovë, në qytetin Shtërpçe ku jetojnë shumica serbe, ta dinë se kjo është pronë e Serbisë.

Shefi i Zyrës për Kosovën e Metohinë në qeveri, Marko Gjuriç ka thënë se Brezovica është pronë e Ineks Intereksport, përkatësisht kompanisë së skijimit të Serbisë.

Pyetjeve se, nëse Serbia dëshiron të ndajë prona me Kosovën, e që parimisht do të thoshte ndarje përfundimtare, u është përgjigjur me retorika politike në një konferencë të jashtëzakonshme.

“Serbët dhe Serbia kanë dëshmi dhe dokumente e të dhëna, për pronësinë e një pjese të madhe të sistemit të dikurshëm ekonomik të Kosovës e Metohisë, ndaj dhe është e nevojshme të bisedohet për këtë. Nëse ne kemi investuar prej dekadash, në atë çfarë është tani në Kosovë e Metohi, askush nuk mund ta fshijë këtë me gomë”, tha Marko Gjuriç, zyra për Kosovën e Metohinë.

Gjuriç ka thënë se Serbia nuk është kundër investimeve, por ato duhet të respektojnë pronarët e vërtetë dhe nuk mund të ndryshojnë pronësinë dhe gjendjen etnike. Qeveria serbe ka bërë të ditur se ka investuar viteve të fundit, duke e bërë aktive qendrën e skijimit. Serbia pretendon edhe pronësinë e kombinatit metalurgjik të Trepçës.

Brezovica, e cila është përmendur edhe nga mediat si histori tolerance, megjithatë deri tani ka ngelur peng i konfliktit.

Top Channel