Dekriminalizimi, PD: Rama-Meta po pengojnë qëllimisht procesin

14/04/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta se prej tre javësh po mbajnë të bllokuar procesin e dekriminalizimit.

Kryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi tha se i ka kërkuar Kuvendit që të komunikojë me Komisionin e Venecias dhe partnerët e tjerë për të marrë asistencën dhe ekspertizën e tyre  lidhur me paketën e amendamenteve të dekriminalizimit. Sipas zotit Bylykbashi kjo nuk ka ndodhur, megjithëse letra zyrtare e Komisionit mban datën 26 mars.

“Kjo letër mbahet e mbyllur në sirtar nga ajo ditë nga përfaqësuesit e mazhorancës në Komision. Kjo vonesë pengon marrjen e ekspertizës së Komisionit të Venecias përpara zgjedhjeve të 21 Qershorit. Prej 3 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta gjithashtu, refuzojnë të sjellin ekspertët e tyre pranë Komisionit të Dekriminalizimit, megjithë kërkesat tona të vazhdueshme”, deklaroi Bylykbashi.

Për Partinë Demokratike bllokimi është i qëllimshëm dhe me një objektiv të vetëm.

“Kërkojnë që dekriminalizimi të mos bëhet dhe posaçërisht dekriminalizimi të mos bëhet para zgjedhjeve të 21 qershorit. Duan të mbajnë këtë regjim në mënyrë që trafikantët, autorët e krimeve të rënda që sot i kanë deputetë e në pikat kyçe të institucioneve e administratës, të vazhdojnë të shërbejnë për ta në këto zgjedhje për të blerë vota me paratë e krimit, e për të shantazhuar e kërcënuar votuesit, siç është në zanatin e tyre”, shtoi Bylykbashi.

Demokratët shprehen të vendosur për t’i shkuar deri në fund misionit të tyre dhe për këtë Bylykbashi njoftoi se i është dërguar një letër Komisionit të Venecias për të ofruar ndihmën e tij në këtë proces.

“Sot do t’i nisim Komisionit të Venecias kërkesën tonë që ata të asistojnë procesin e të ndihmojnë me ekspertizën e tyre. Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund këtij procesi, kësaj nevoje jetike siç është dekriminalizimi”, deklaroi deputeti demokrat.

Top Channel