Kandidati për Tiranën, Rama mbledh deputetë e ministra

14/04/2015 00:00

Partia Socialiste nuk e ka ndarë ende se cili mes Erion Veliajt dhe Blendi Klosit do të jetë kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës.

Asnjë emër nuk u diskutua edhe në takimin që Edi Rama pati në Kryeministri menjëherë pas kthimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pasditen e së martës.

I pari në takim mbërriti nënkryetari grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, më pas ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, kryetari i grupit Gramoz Ruçi, deputeti Eduard Shalsi dhe ministrat Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe ministri Erion Veliaj, një prej dy emrave më të lakuar si kandidat për kryeqytetin.

Takimi ka zgjatur rreth 60 minuta. Një burim i pohoi Top Channel se mbledhja e kërkuar nga Edi Rama kishte si qëllim koordinimin dhe hartimin e një plani masash së bashku me grupet e punës për fushatën elektorale të 21 Qershorit.

Asnjë nga protagonistët nuk foli pas takimit, ndërsa i fundit që doli nga selia e Kryeministrisë ishte Erion Veliaj.

Top Channel ka mësuar se gjatë paradites të së mërkurës pritet një takim në Kryesinë e Kuvendit mes kryparlamentarit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, nga ku pritet t’i jepet dora e fundit listës së kandidatëve, e cila do të miratohet në tryezën koalicionit.

Mesi i kësaj jave me gjasa do t’i japë fund odisesë së kandidatëve për ato bashki ku ende nuk kanë dalë emrat, ku ndër më të rëndësishmet janë Tirana dhe Vlora.

Top Channel