Greqia pajis me dokumente refugjatët sirianë, gati për në BE

14/04/2015 00:00

Greqia do të pajisë me dokumente të rregullta të gjithë refugjatët e ardhur nga Siria, që kanë të drejtën e azilit, në mënyrë që ata të mund të udhëtojnë në çdo vend të BE-së, ku ata dëshirojnë.

Vendimi është marrë në një mbledhje të Qeverisë, në kuadrin e një plani emergjence, pasi kohët e fundit vendi po përballet me një fluks të madh refugjatësh, që pritet të intensifikohet për arsye të zhvillimeve në rajon, sipas Komisariatit të lartë të OKB-së.

Athina, me këtë vendim jep mesazhin se po përballet me çështjen e refugjatëve, jo si një çështje që i përket vetëm Greqisë, por si një çështje ndërkombëtare që kërkon seriozitet, qetësi dhe mbi të gjitha humanizëm.

Për vite me radhë, Greqia është një portë hyrëse per flukset e refugjatëve nga Iraku, Siria dhe vendet e Afrikës Veriore. Por, siç theksojnë shumë prej ministrave të kabinetit “Tsipras”, infrastrukturat aktuale janë të pamjaftueshme, pasi Qeveria e mëparshme e Samarasit nuk realizoi absolutisht asnjë masë dhe la të pashfrytëzuara fondet e BE.

Në bazë të këtij plani të ri emergjent, refugjatët azilantë nga Siria do të pajisen urgjentisht me dokumente ligjore, me të cilat mund të udhëtojnë menjëherë në vendet e BE-së, ku ata dëshirojnë të jetojnë, dhe për këtë është bërë edhe kërkesa zyrtare në OKB dhe në BE, për aktivizimin e mekanizmave përkatës.

Pothuajse të gjithë emigrantët, që janë grumbulluar në qendrat e vogla të ishujve grekë, si pasojë e dyndjeve të muajve të fundit, do të strehohen në kampe pritjeje në godina të braktisura të shtetit dhe të ushtrisë në Greqinë kontinentale, nga ku do të bëhet edhe ndarja e tyre: në azilantë, kur ata vijnë nga Siria dhe do të kenë mundësi Europën, dhe në emigrantë ekonomikë.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Gavril Sakelaridhis, shumica dërmuese e këtyre refugjatëve sirianë, që shpeshherë bien edhe viktima të trafikantëve, nuk vijnë për motive ekonomike në Greqi apo sepse janë të varfër, por sepse u kërcënohet jeta.

Athina do ta shtrojë këtë problem edhe në samitin e lartë të BE, në mënyrë që refugjatët të trajtohen në kuadrin e aleancës europiane, si dhe të ndahen përgjegjësitë, e numri i refugjatëve sirianë me të cilët përballen Greqia, Italia dhe Malta; me të gjitha shtetet e BE.

Top Channel