Restaurohet Pazari i Krujës. ‘Magneti’ turistik bëhet më tërheqës

14/04/2015 00:00

Pazari i Vjetër i Krujës, një ‘magnet’ për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë ka tashmë një fytyrë të re. Qeveria shqiptare përuroi restaurimin e tij, që përfshin dyqanet, fasadat, ndriçimin dhe sinjalistikën, punimet nëntokësore si dhe përmirësimin e kalldrëmit përgjatë pazarit.

“Jam i befasuar që në pak muaj kemi mundur që të bëjmë së bashku një vepër të tillë, të restauronim një prej xhevahirëve të turzimit shqiptar, një prej simboleve të turizmit historik të Shqipërisë”, tha zv.kryeministri Niko Peleshi.

“Synojmë që të sjellë më shumë punësim edhe me përbërësin e dytë të projektit që ne po vazhdojmë, duke ndihmuar vlerat, traditën dhe artizanatin këtu në Krujë”, tha Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Projekti u zbatua nga Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Kulturës, Bashkia  Krujë dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Faza e dytë e tij do të vazhdojë me mbështetje për bizneset, duke u përqendruar tek promovimi i prodhimit dhe çertifikimit të produkteve artizanale vendase.

Top Channel