Raporti me rekomandime për EULEX-in, Jacquè e dorëzon në Bruksel

14/04/2015 00:00

Pas 4 muajsh në Kosovë, Jean Paul Jacquè, eksperti i pavarur i dërguar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për të rishikuar zbatimin e mandatit nga EULEX, me fokus të posaçëm në trajtimin e akuzave, dorëzoi raportin e tij në Bruksel.

“Në respekt të premtimit të dhënë për transparencë maksimale, raporti iu dërgua menjëherë Parlamentit Europian e vendeve anëtare, madje është bërë dhe publik”, theksoi në një komunikatë për shtyp Mogherini, duke përmendur se “shërbimet po e studiojnë atë me kujdes dhe po shqyrtojnë mënyrat më të mira për adresimin e rekomandimeve që përmban”.

Raporti prej 57 faqesh përmban 21 rekomandime mbi funksionimin e misionit EULEX.

Megjithëse eksperti i kontraktuar nga BE “nuk kishte mandat për të hetuar korrupsionin, por vetëm për të këqyrur sesi EULEX dhe shërbimi diplomatik i BE-së kanë trajtuar pretendimet e bëra publike për korrupsion të mundshëm” të gjyqtarëve dhe prokurorëve të misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, “dokumenti nuk hedh poshtë akuzat për korrupsionin atje”, rrëfeu një zyrtar i lartë i BE-së, duke theksuar se çdo zyrtar europian do të mbajë përgjegjësi në rast të tillë, bazuar në juridiksionin kosovar dhe marrëveshjet respektive me vendin europian, të cilit i përket.

Jacquè jep një vlerësim të përciptazi në raportin e tij për ekzistencën e “korrupsionit në përgjithësi, ku gjyqësori nuk bën përjashtim”, por cilëson se ai “nuk është kompetent” për këtë. Në thelb, raporti i Jacquè mbron procedurat e ndjekura nga EULEX ndaj prokurores britanike, Maria Bamieh, e cila dyshohej për rrjedhjen e informacionit në media, ndërkohë që ajo akuzonte publikisht për korrupsion dy kolegët e saj: prokuroren çeke Novotnas dhe gjykatësin italian Florit.

Në pikën 11 para rekomandimeve, thuhet: Pezullimi i saj nuk ishte, përkundër asaj çfarë beson ajo, një dënim disiplinor, por një masë paraprake, që kishte për qëllim të parandalonte rrjedhjen e mëtejshme në shtyp dhe ishte arsyetuar me faktin se, megjithëse ajo nuk ishte përgjegjëse për rrjedhjet, dokumentet e përdorura si bazë për artikujt ishin të shkruara nga ajo.

Raporti përmbush pjesërisht edhe kërkesën e Parlamentit Europian ndaj shërbimit diplomatik të BE-së për “hetim të thellë të akuzave ndaj EULEX nga një organ i jashtëm dhe i pavarur”, çfarë do të sillte dhe një “rikonfigurim të misionit dhe mandatit” të tij në Kosovë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel