Kategoria Superiore, shanset për titull të 4 skuadrave në krye të tabelës

15/04/2015 00:00

Fitorja e Skënderbeut dhe barazimi i fundit i Kukësit e ka futur kampionatin shqiptar në një fazë kritike për sa i përket titullit në Kategorinë Superiore, pasi diferenca mes skuadrave të kreut është vetëm 4 pikë.

Kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në fërshëllimën e fundit, Skënderbeu, Kukësi, Tirana e më pak Partizani, janë ekipet pretendente për t’u shpallur kampion të Shqipërisë, trofe ky që i siguron fituesit pjesëmarrjen në paraeleminatoret e Ligës së Kampioneve.

Skënderbeu, i cili kryeson me 63 pikë, do të ketë dy transferta mjaft të vështira, atë me Kukësin dhe Tiranën. Fitorja me këto dy rivalë, sigurisht duke mos anashkaluar 4 sfidat e tjera, do të bënte që Skënderbeu të hynte në histori si ekipi i parë që fiton 5 kampionate radhazi.

Ndryshe është situata për Kukësin dhe Tiranën, të cilët kanë një kalendar më të fortë e më të ngjeshur, pasi përveç përballjes me njëra-tjetrën do të ndeshen në transfertë me Partizanin dhe në fushën e tyre me Skënderbeun. Për të ndryshuar status dhe për ta merituar titullin kampion, kuksianët duhet të fitojnë edhe me 3 kundërshtarët direkt.

Tirana, e treta në renditje, e mbyll sezonin me 78 pike nëse i fiton të gjitha ndeshjet dhe me shumë gjasa rikthehet pas 6 vjetësh si kampione e Shqipërisë.

Matematika i jep më shumë mundësinë 3 skuadrave të para në renditje, ndërkohë që për Partizanin shanset për kampion janë më të pakta. Një gabim i vogël në 6 javët e mbetura do të ishte fatal për ‘të kuqtë’ e Duros, të cilët dalin automatikisht jashtë garës për titull.

Gjithsesi një gjë është e sigurt, përtej prestigjit që të jep titulli,  kampioni i këtij sezoni do të përfitojë një shpërblim të majmë, 10 milionë lekë nga FSHF dhe 300 mijë euro për pjesëmarrjen në paraeleminatoret e Ligës së Kampioneve.

Top Channel