Mbytet anija me 400 persona në brigjet e Libisë, shpëtohen 150 persona

15/04/2015 00:00

Tragjedia e radhës e konsumuar në ujërat e detit Mesdhe nuk ka ende një bilanc të qartë vdekjesh, por fatkeqsisht gjasat janë që ai të mos jetë i vogël.

Organizata ndërkombëtare “Save the Children” bëri të ditur për gjigantin televiziv amerikan “CNN” se, një anije me mbi 500 persona në bord është fundosur rreth 80 milje larg brigjeve të Libisë.

Një pjesë e mirë e emigrantëve mendohen të kenë qenë minorenë, të paktën kjo rezulton nga dëshmitë e gati 150 të mbijetuarve, të shpëtuar prej Rojës bregdetare italiane. Operacionet e kërkimit vazhdojnë, ndërsa nga uji deri më tani janë nxjerrë 9 trupa të pajetë.

Sipas “Save the Children”, nga 11 deri më 13 Prill, në Lampeduza, Kalabri e Pulja kanë mbërritur mbi 5100 emigrantë. 450 prej tyre janë fëmijë, 317 nga të cilët të pashoqëruar me të rritur. Shumica kanë përjetuar eksperienca të një dhune të skajshme, deklaroi drejtori ekzekutiv i organizatës, Valerio Neri.

Italia është përballur me një valë në rritje të emigrantëve të dëshpëruar nga Afrika dhe Lindja e Mesme, të nxitur nga konfliktet në disa shtete të rajonit. Vetëm këtë të hënë, Roja bregdetare italiane ka marrë thirrje për ndihmë nga 18 anije me klandestinë.

Që nga fillimi i këtij viti, sipas zyrtarëve të OKB-së, mbi 500 emigrantë kanë humbur jetën në përpjekjet për të mbërritur në portat e Europës, shifër kjo 30 herë më e lartë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Top Channel