Mandati i Kokëdhimës, të enjten dy raporte për votim në Parlament

15/04/2015 00:00

Ashtu siç pritej, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit do të shkojë të enjten në Kuvend me dy raporte për kërkesën e demokratëve, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetit Koço Kokëdhima.

Përkundër qëndrimit të opozitës, se Kokëdhima ka shkelur Kushtetutën në të paktën 150 raste duke përfituar fonde publike pasi është zgjedhur deputet, mazhoranca nuk ka qenë e të njëjtit mendim. Pas mbledhjes me dyer të mbyllura, demokratët thanë se Parlamenti duhej t’ia çonte kërkesën Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tyre është ajo që bën shqyrtimin në themel të çështjes.

“Mazhoranca është e mendimit që duhet t’ia fshehë Gjykatës Kushtetuese shqyrtimine  këtij rasti. Besoj është në vazhdën e një mazhorance, e cila punon me krimin dhe për krimin, që ngryset dhe gdhihet me krimin. E them këtë sepse qëndrimi i mazhorancës ishte pikërisht që çështja të mos i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Grupi mazhoritar do t’i rekomandojë Parlamentit që t’ia fshehim këtë çështje Kushtetueses, të mos e dërgojmë për shqyrtim në atë gjykatë”, tha Arben Ristani, sekretar i Përgjithshëm i PD-së dhe deputet në Kuvend.

Raporti i opozitës dhe ai i mazhorancës, i pari për t’ia dërguar Kushtetueses shqyrtimin e çështjes “Kokëdhima” dhe i dyti për të kundërtën, do të votohen në Kuvend të enjten. Me shumicë të thjeshtë, në atë sallë do të votohet për secilën nga  kërkesat. Në kushtet e qëndrimit të shprehur të mazhorancës, kërkesa për t’iu drejtuar Kushtetueses pritet të rrëzohet dhe, në këtë moment çështja pushohet.

Demokratët pohuan se mund të shfrytëzojnë të tjerë instrumente ligjore për ta dërguar vetë kërkesën në Kushtetuese, por qëndrimi i mazhorancës sipas tyre nuk është as ligjor dhe as moral.

Top Channel