Fluksi i shtuar i qytetarëve shqiptarë që dalin jashtë kufijve të vendit në drejtim të zonës “Shengen” ka shtuar kontrollet në pikën kufitare të Durrësit.
Disa qindra qytetarë, kryesisht nga zonat e Elbasanit, Fierit dhe Librazhdit, nuk janë lejuar të kalojnë kufirin shqiptar gjatë fundjavës.
Burime nga Drejtoria Rajonale e Migracionit dhe Kufirit bëjnë të ditur se, të gjithë ata që nuk janë lejuar të imbarkohen në tragetet e linjave detare me Italinë nuk e kanë justifikuar qëllimin e udhëtimit.
Shumë prej të kthyerve ishin familje shqiptare që kishin si destinacion Gjermaninë. Kontrollorët e vendkalimit kufitar në portin e Durrësit nuk janë bindur nga deklaratat e tyre. Shumat e pamjaftueshme të parave që kanë pasur me vete apo mungesa e dokumentacionit nga pritësi kanë mjaftuar për të kthyer mbrapsht afro 600 persona vetëm në fundjavë, ndërsa në ditët e para të javës fluksi i largimeve nga porti i Durrësit ka qenë i më i ulët.
Top Channel