U denoncua në “Fiks Fare”, pranga kontrollorit të policisë në Qafë Thanë

15/04/2015 00:00

Një kontrollor i Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës u arrestua
mëngjesin e së mërkurën, pasi sipas ministrisë së Brendshme, mori
ryshfet për të lejuar 3 shtetas shqiptarë të kalonin në shkelje të
rregullave, në zonën “Shengen”

“Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në ministrinë e Brendshme, ka ndaluar punonjësin e policisë Alfons Kita, me detyrë Përgjegjës Turni në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës, në Pogradec. Kita akuzohet për veprën penale ‘korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’. Nënkomisar Kita dyshohet se ka përfituar para, duke shfrytëzuar atributet që i ofron detyra, për të lejuar udhëtimin e tre shtetasve drejt zonës ‘Shengen’, edhe pse nuk kishin dokumentacion të rregullt”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministries së Brendshme.

Hetimi i SHÇBA-së nisi pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në Top Channel, ku shfaqet punonësi i policisë Alfons Kita duke u marrë një sasi parash tre të rinjve, të cilët nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar në Shengen.

Ministria e Brendshme përsërit falenderimin për median dhe qytetarët, të cilët denoncojnë raste të abuzimit dhe aferave korruptive dhe shpreh vendosmërinë për të goditur pa asnjë mëdyshje dhe shpejt çdo element të inkriminuar, apo punonjës që shpërdoron detyrën.

Ndërsa dje, dy punonjës të policisë në pikën kufitare të Kakavijës u arrestuan pas denoncimit të transmetuar nga emisioni “Fiks Fare”, i cili që prej së hënës ka filluar transmetimin e një investigimi, që hedh dritë mbi mënyrën se si kthehen mbrapsht në kufi shqiptarët që nuk paguajnë.

Top Channel