Grida Duma, kandidate në Durrës. Pritet zyrtarizimi i Kosovës për Tiranën

15/04/2015 00:00

4 vjet pasi bëri moderimin e takimeve elektorale të Lulzim Bashës me
qytetarët e Tiranës, Grida Duma shkon tek qytetarët si kandidate për
kryetare bashkie, jo në Tiranë, siç u diskutua në fillim, por në Durrës,
në qytetin e saj të lindjes.

 

Ky ishte një plus që Grida Duma të mendohej ditët e fundit si kandidatura politike që të bindte republikanët të hiqnin dorë nga garimi në Durrës me Agron Dukën. Dhe kjo skemë ka rezultuar e suksesshme, të paktën përsa i përket fillimit, kandidimit të Grida Dumas përballë socialistit Vangjush Dako.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e prezantoi vetë zonjën Duma dhe kishte një elokuencë mbresëlënëse, kur iu referua cilësive të saj.

“Zgjedhja e PD dhe aleatëve tanë pa asnjë rezervë shkon tek një vajzë Durrësi, tek një nënë Durrësi dhe një fytyrë emblematike e nisjes së re të demokratëve. Një intelektuale e kalibrit europian, akademike e shkëlqyer, studiuese, politikane e dashur dhe e admiruar nga durrsakët dhe gjithë shqiptarët, administratore e sprovuar, bija juaj, kandidatja juaj dhe kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Durrësit”, deklaroi kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

“Po kthehem sepse Durrësi e meriton t’i rikthehet qytetaria. I kanë gjykuar durrsakët si të frikshëm në votime dhe në zgjedhje sepse të penalizojnë fort në heshtje, në mënyrë qytetarë atëherë kur nuk ka vlera. Unë jam e bindur që do të fillojmë që sot një etapë tjetër, për Durrësin, për ata qytetarë që e ndjejnë në gjak siç është, për ata qindra-mijëra që kthehen këtu sepse e shohin si shpresë, do kthejmë shpresën e metropolit të dytë të Shqipërisë”, tha nga ana e saj, kandidatja e saposhpallur, Grida Duma.

Me kandidimin e Grida Dumas në Durrës është zgjidhur edhe pikëpyetja se çfarë drejtimi do të merrte aleanca me Partinë Republikane e vënë në dyshim pas këmbënguljes së gjatë për zotin Duka. Fatmir Mediu shpjegoi përse Partia Republikane, bashkë me zotin Duka do të mbështesin zgjedhjen e Partise Demokratike.

“Zonja Duma tashmë është një autoritet politik i Partisë Demokratike dhe një zë opozitar dhe në këtë kuadër kemi dhënë miratimin që të fitohet Bashkia e Durrësit. Uroj dhe besoj që të kemi bërë zgjedhjen e duhur. Partia Republikane do të bëjë më të mirën që zonja Duma të fitojë Bashkinë e Durrësit, edhe zoti Duka po ashtu. E them edhe njëherë që nuk ka logjikë tjetër veçse të kemi një qëndrim të përbashkët sa i përket mbështetjes së 61 kandidatëve dhe integrimit dhe marrëdhëniet edhe sa i përket mbështetjes së këshilltarëve”, u shpreh kreu i PR-së, Mediu.

Tani mbetet për t’u bërë publik edhe emri i kandidatit për Bashkinë e Tiranës. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht, vendimi në selinë blu është marrë. Ai do të jetë Halim Kosova, i cili ka qenë në krye të listës që kur nisi procesi i diskutimit të kandidatëve për Tiranën dhe në të gjitha sondazhet e brendshme të Partisë Demokratike, ai është kandidati që kuotohej më lart se të gjithë.

Kjo është hera e parë, të paktën që nga viti 2000, që Partia Demokratike përfaqësohet në zgjedhje me një personalitet pa profil të fortë politik. Ky do të jetë edhe kontrasti i madh në garën për Tiranën, ku socialistët pritet të kandidojnë një njeri thellësisht politik, si Erion Veliaj.

Besohet se përzgjedhja e Halim Kosovës është bërë pikërisht për këtë arsye, sepse thellimi i kontrastit me kundërshtarin, në analizën e demokratëve, do t’i japë më shumë pikë një kandidati të qetë dhe të thjeshtë si Kosova.

Top Channel