Veliaj-Granoff, marrëveshje për kurse biznesi në shkollat profesionale

15/04/2015 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, dhe drejtori i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) Michael Granoff, fitmosën këtë të mërkurë një marrëveshje që synon përfshirjen e kurseve të biznesit në shkollat profesionale.

Veliaj e vlerësoi si “tepër të rëndësishme ndihmën që jep Fondacioni AADF për arsimin professional” dhe theksoi se “falë këtyre projekteve u jepet mundësi të rinjve të kuptojnë më mirë rëndësinë e të marrit të një profesioni apo zanati, si një mundësi për një të ardhme më të sigurtë”. “Kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, pasi lidhet me futjen e kurseve të biznesit në shkollat tona profesionale, çka i bën ato më të zhdërvjellta në çështjet e sipërmarrjes. Ne kemi patur një vit fantastik, pasi regjistrimet në shkollat profesionale u rritën me 40%, që do të thotë se publiku e ka kuptuar mesazhin se arsimi profesional është e ardhmja”, shpreh ai.

Për ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, gjasat për të gjetur aktualisht një punë janë më të mëdha kur zotëron një zanat. Sipas tij, falë kësaj mbështetjeje, planifikohet që programi të shtrihet në vitin e III-të akademik, në 26 shkolla profesionale në Shqipëri, duke përfshirë aktualisht mbi 1300 të rinj dhe duke lënë të hapur mundësinë që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më tej, në rrjetin kombëtar të shkollave profesionale në vend.

“Këtë vit bëmë disa ndryshime në sistemin e arsimit profesional. Për herë të pare, bordet e shkollave menaxhohen nga biznesi, sepse gjykuam se lidhja me biznesin duhej forcuar. Ndaj më vjen mirë që sot kemi sipërmarrës që menaxhojnë bordet e shkollave tona”, tha Veliaj, duke shtuar se “qëllimi është të barazohet koha e mësimdhënies teorike me atë praktike”.

Ndërkaq, drejtori i Bordit të AADF-së, Granoff vlerësoi programin e ndihmës në fushën e arsimit professional, duke theksuar se modeli që kërkohet të aplikohet ka sjellë rezultate të mira. “Arsyeja pse na pëlqen ky program është sepse ne mendojmë që nëse nxënësve u ofrojmë arsimim ekonomik apo në termat e biznesit, atëherë kjo automatikisht sjell rritje ekonomike dhe jetesë më të mire”, u shpreh ai.

Marrëveshja e firmosur vjen në vazhdimësi të programit “Junior Achievement”.

Top Channel