Vendimi i Kushtetueses mirëpritet nga Ambasada e SHBA dhe zyra e BE

15/04/2015 00:00

Ambasada e SHBA-ve mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me amandamentet e propozuara për Gjykatën Speciale.

Ky vendim ndihmon që t’i hapet rruga Kuvendit për të krijuar Gjykatën Speciale, zotim ky që Kosova e bëri në Shkëmbimin e Letrave me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së në vitin 2014. Për Kosovën është me rëndësi që të merret me akuzat e bëra në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 ashtu që Kosova të shkojë përpara dhe të tregojë përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj sundimit të ligjit.

“Ne kuptojmë se për disa ky është një vendim i vështirë por kjo ka të bëjë me individët dhe jo me luftën e Kosovës për çlirim. SHBA-të mbesin në përkrahje të punës që Task Forca Hetuese Speciale ka bërë duke u marrë me këto akuza në mënyrë kredibile, dhe i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që të bëjë hapat e ardhshëm për të themeluar Gjykatën Speciale”- thuhet ne komunikaten per shtyp te shperndare nga ambasada e SHBA ne Prishtine.

Edhe zyra e Bashkimit Europian në Kosovë përshëndeti vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, për amendamentimin e Kushtetutës për t’i hapur rrugë gjykatës.

“Përfaqësuesi Special i BE-së inkurajon të gjithë aktorët e përfshirë, që ta trajtojnë themelimin e Dhomave të Specializuara si prioritet në interesin e Kosovës. Është e rëndësishme, që Kosova të ndjekë angazhimin e vet të miratuar nga Kuvendi në Prill të 2014-s, si dhe të vazhdojë përpjekjet për t’i themeluar këto dhoma. Sigurimi i një mjedisi të qetë, ku mund të mbahet një proces gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm, është e vetmja mënyrë për t’i adresuar akuzat serioze. Dhomat e Specializuara nuk do ta rishkruajnë historinë, as nuk do ta gjykojnë atë, por do të kërkojnë të përcaktojnë drejtësinë dhe përgjegjësinë për çfarëdo vepre penale individuale”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së, në Prishtinë.

Top Channel