I penduari i “vrasësve me pagesë” tenton të vrasë veten

15/04/2015 00:00

Kristi Pine, bashkëpunëtor i drejtësisë dhe po ashtu i marrë i pandehur si i implikuar në një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë, ka tentuar t’i japë fund jetës në ambientet e Spitalit të Burgjeve në Tiranë, ku edhe mbahej prej gati dy muajsh.

I penduari i drejtësisë konsiderohet pjesë e një grupi vrasësish me pagesë, që drejtohej nga i dënuari me burgim të përjetshëm Admir Tafili. Sipas burimeve, 24-vjeçari ka prerë damarët e duarve me një stilolaps, ndërkohë që janë ende të paqarta motivet, aq më tepër që pak javë më parë ai pranoi të rrëfehej përpara autoriteteve të drejtësisë, me kushtin që t’i sigurohej jeta atij dhe të afërmve.

Pas ndërhyrjes urgjente të Policisë dhe të stafit mjekësor, thuhet se dëshmitari i drejtësisë aktualisht mbahet nën terapi dhe është jashtë rrezikut për jetën. 24-vjeçari Kristi Pine dyshohet së së bashku me 4 persona të tjerë për akte terroriste, vrasje me paramendim dhe vrasje të mbetur në tentativë.

I riu nga Elbasani e njohu burgun pas një arrestimi për vjedhje me dhunë dhe, sipas tij, pikërisht aty ai njohu edhe Tafilin. Gjatë hetimeve Kristi Pine rrëfeu para Prokurorisë së Krimeve të Rënda se, me kërkesë të Tafilit, vranë shtetasin Ibrahim Mani në qytetin e Shkodrës, në vitin 2014.

Sipas tij, grupi ishte përfshirë edhe në një ngjarje me lëndë plasëse në Tiranë, kundër një biznesmeni, i cili mbeti i plagosur së bashku me dy persona të tjerë. Prokuroria nga ana e saj pohon se ky grup është nën hetim edhe për episode të tjera kriminale, mes tyre edhe për një ngjarje në qytetin e Durrësit.

Top Channel