70-vjetori i gjyqit special, kur pushkatoheshin intelektualët

15/04/2015 00:00

Në 15 prill të vitit 1945 u arrestuan 65 intelektualë, të cilet ishin arsimuar jashtë vendit dhe vinin nga familje të mëdha.

Pushteti komunist vendosi ekzekutimin e 17 prej tyre dhe dërgoi pas dyerve të hekurta të Burrelit pjesën tjetër të të arrestuarve. Pas 70 vitesh, ish të përndjekurit politikë kërkojnë që dosjet të hapen duke u shoqëruar me lustracion pasi ende nuk dihen varret e të gjithë atyre intelektualëve të cilët i shkuan ditët e fundit në burgun e Burrelit.

“Të 17 të pushkatuarit janë gjetur te Kodra e Priftit, por të tjerët që kanë vdekur në burgun e Burrelit janë pa varre, si shumë të tjerë. Kjo është arsyeja që kërkojmë ne, nuk është ajo që thuhet jo për hakmarrje. E vetmja gjë që kërkojmë ne është që këta, hetues, prokurorë që kanë marrë pjesë në këto gjyqe, që kanë dhënë goditjen e fundit të tregojnë për vendndodhjen e tyre që t’i japin qetësi familjarëve për të vendosur një tufë me lule. Kjo ka qenë arsyeja që kemi ngulur këmbë te ligji i dosjeve. Ligji të shoqërohet me ligjin e lustracionit”, thotë Simon Miraka, ish i përndjekur politik.

Pas çlirimit u ekzekutuan  dhjetra pedagogë pa kurrfarë gjyqi, por edhe pa asnjë motivacion.

Mendohet se janë rreth 6 mijë persona të cilëve nuk u dihen varret edhe në ditët e sotme. Hapja e dosjeve, por edhe dëshmitë e personave të cilët kanë qenë funksionarë të rëndësishëm në kohën e diktaturës mund të krijojnë lehtësira në identifikimin e vendeve ku janë varrosur këta shqiptarë.

Top Channel