Vendimi i Kushtetueses, Jahjaga: Hap para në përmbushjen e angazhimeve

15/04/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pranuar sot aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese rreth amendamenteve kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ka thënë se, me këtë aktgjykim është bërë një hap drejt përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të frymës së Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të tij, siç njofton Presidenca në një komunikatë për shtyp.

Presidentja Jahjaga, e cila udhëheq koordinimin ndërinstitucional për themelimin e Gjykatës Speciale, në përputhje me marrëveshjen e miratuar nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, theksoi se veprimi i ardhshëm është përmbyllja sa më e shpejtë e diskutimeve rreth ligjit, që rregullon gjykatën dhe që mundëson përgatitjen e pakos legjislative, e cila do të votohet në Kuvend.

Presidentja Jahjaga bëri thirrje për një konsensus të përgjithshëm politik dhe shoqëror për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare, përmes krijimit të bazës ligjore për gjykatën, e cila do të adresojë akuzat e dala nga raporti i Këshillit të Evropës dhe që “kurrsesi nuk do të gjykojë përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi”. Ajo theksoi se Kosova duhet ta demonstrojë përkushtimin e saj për të përmbyllur këtë kapitull të rëndë.

Top Channel