Bllokohet procesi për dekriminalizimin. PS kërkon largimin e Bylykbashit

15/04/2015 00:00

Komisioni për zbatimin e marrëveshjes së 24 Dhjetorit, që ka në thelb dekriminalizimin e politikës dhe administratës shtetërore, ka prodhuar të kundërtën e qëllimit për të cilin u ngrit, mungesën totale të konsensusit.

Çështja e letrës, që duhej t’i dergohej Komisionit të Venecias dhe partnerëve të tjerë për të marrë asistencën e tyre, është kthyer në “mollën e sherrit” mes palëve.

Opozita akuzoi mazhorancën se, duke mos njoftuar Komisionin e Venecias kishte për qëllim bllokimin e komisionit dhe miratimin e amendamenteve para zgjedhjeve.

Mazhoranca, nga ana tjetër, akuzoi opozitën se kryetari i komisionit qëllimisht kishte shkruar një letër pa formën zyrtare të saj dhe e ka bërë fakt të kryer pa pyetur opozitën. Shkëmbimi i këtyre akuzave arriti deri atje, sa socialistët braktisën komisionin, duke bërë edhe një kërkesë të pazakontë.

“Zotëri, më ke fyer 7 herë rresht, sharlatan, sharlatan. Mirupafshim, i pafsh hajrin kësaj pune. Unë me ty nuk ulem më në tavolinë. Kërkoj largimin e kryetarit të komisionit, se ti nuk do të bësh këtë punë, por kërkon ta bllokosh”, u shpreh Taulant Balla, nënkryetar i grupit socialist parlamentar.

“Sigurisht që nuk ka asgjë tjetër, përveç se sot është dhënë shembulli sesi kjo mazhorancë, e cila kërkoi edhe numrat e mazhorancës në këtë komision, pikërisht për të bërë këtë që bëri sot. Për t’u larguar nga komisioni dhe për të bllokuar mbledhjet e tij”, reagoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Kjo ishte mbledhja e tretë e komisionit, por edhe 4 muaj pas marrëveshjes, deri tani ai nuk ka prodhuar asgjë, përveç një plani pune që nuk po zbatohet.

Top Channel