Ngrihet Këshilli i Investimeve; Rama: Kredi për fermerët

15/04/2015 00:00

Me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Shqipëria bëhet vendi i parë që ngre një Këshill të posaçëm për Investimet.

“Me kërkesë të kryeministrit Rama, Shqipëria u zgjodh si vendi pilot për strategjinë e re të BERZH mbi klimën e investimeve dhe qeverisjes. Vitin e kaluar kryeministri dhe presidenti i BERZH nënshkruan një marrëveshje për të rienergjizuar procesin e reformave në ekonomi. Marrëveshja synon të përmirësojë dialogun mes biznesit dhe autoriteteve, të forcojë klimën e investimeve dhe të promovojë mirëqeverisjen. Këshilli që ngremë sot është në zemër të këtij programi”, deklaroi Alain Ruso, drejtor i përgjithshëm i BERZH.

Këshilli i Investimeve është një plaftormë që mbledh bashkë biznesin, qeverinë dhe institucionet financiare ndërkombëtare për të trajtuar pengesat e investimeve, duke lehtësuar klimën e tyre.

“Këshilli do të mblidhet rregullisht për të trajtuar çështjet me biznesin, ai do të jetë zëri i biznesit pranë qeverisë dhe me mbështetjen e vazhdueshme të BERZH do të shërbejë si pikë e mirë referimi për nismat dhe reformat e qeverisë në të ardhmen”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Duke e vënë theksin tek përmirësimet, sipas tij të dukshme, në klimën e biznesit, kryeministri Rama e cilësoi ngritjen e Këshillit një tjetër moment historik që konsolidon ringritjen e ekonomisë.

Kredi për fermerët, Rama: Marrëveshje me BERZH

Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi ngritjen e Këshillit të Investimeve për të lajmëruar edhe një tjetër nismë të rëndësihme me BERZH, atë të ngritjes së një skeme për financimin e fermerëve.

“Ky do të jetë një moment historikisht i rëndësishëm për rolin mbështetës të qeverisë ndaj bujqësisë dhe për forcën e re financuese që do të marrë ky sektor falë kreditimit direkt të fermerëve, por duke përdorur qeverinë garant të riskut të investimeve”, deklaroi Rama.

Ndonëse nuk bëri publike shumë hollësi, kreu i qeverisë tha se skema do të zgjerojë mundësitë e fermerëve për të marrë financime, duke lëshuar në këtë pikë edhe një apel të fortë për bankat.

“Dhe duke shpresuar që eksperienca në vijim të na mësojë se edhe bankat kanë zemër, për t’i kthyer në aktorë të rëndësishëm të ekonomisë ata fermerë me ide e talente, por që e vetmja gjë që u mungon është kreditimi”, tha Rama.

Bujqësia është sektori më i nënfinancuar në ekonomi, ku edhe pse jep rreth 20 për qind të prodhimit kombëtar ka vetëm 1 për qind të totalit të kredisë private.

Top Channel