Itali, djali vret të ëmën për çështje nderi

15/04/2015 00:00

Një 22-vjeçar në Itali është arrestuar nga forcat e rendit të vendit fqinj, nën akuzën se dy vjet më parë ka vrarë nënën e tij për “çështje nderi”.

Sipas raportimeve të mediave italiane, i riu Francesco Barone e ka ekzekutuar të ëmën Francesca Bellocco në vitin 2013, në bazë të rregullave arkaike të mafias kalabreze, Ndrangeta.

Referuar hetuesve të çështjes, burimet saktësojnë se gruaja kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me bosin e një familjeje mafioze rivale, veprim ky i papranueshëm për atë që pretendon të jetë “shoqata e nderuar”.

Gruaja, trupi i të cilës nuk është gjetur kurrë, është ekzekutuar sipas hetuesve nga i biri, që drejtonte një grup vrasësish, në shenjë ndëshkimi.

Por ngjarja nuk ka mbaruar me kaq, pasi në të njëjtën periudhë është zhdukur edhe personi me të cilin nëna e 22-vjeçarit ishte lidhur në një marrëdhënie, bosi Domenico Cacciola.

Ky i fundit, 50 vjeç, familjar i afërt i Maria Concetta Cacciola, që për të mos tradhëtuar familjen vrau veten duke gëlltitur acid më 20 gusht 2011.

Prokurorët e Rajonit të Kalabrisë kanë ngritur ndaj të riut Barone akuzën e vrasjes me paramendim dhe atë të dëmtimit dhe fshehjes së trupit të së ëmës, që nuk është gjetur kurrë.

Top Channel