Hahn pret Gjukanoviç, njofton takimin e kryeministrave të Ballkanit

15/04/2015 00:00

Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn njoftoi për mbledhjen e kryeministrave të Ballkanit javën e ardhshme, pas takimit me kryeministrin malazez Milo Gjukanoviç, vendi i të cilit vijon pa pengesa negociatat e anëtarësimit në BE.

“Do të shohim njëri-tjetrin sërish javën e ardhshme në formatin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, për t’u marrë me bashkëpunimin rajonal në fushën e transportit dhe energjisë, që janë dhe temat e javës së ardhshme, si dhe ndërlidhja e rajonit. Sot u pajtuam se prodhimi i energjisë është një çështje e rëndësishme dhe në rritje për rajonin, sepse, veçanërisht kur bëhet fjalë për prodhimin e energjisë së rinovueshme në bazë të ujit, ka plot potenciale për të krijuar një rajon më të pavarur në fushën e energjisë”, deklaroi Hahn.

“Mali i Zi sot është lider i Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave me BE-në. Kemi hapur 18 kapituj dhe po përgatisim qëndrimin për të çelur dhe 5 kapituj të tjerë”, tha kryeministri Gjukanoviç.

Nga ana tjetër, Mali i Zi ka gjasa të marrë edhe ftesën e anëtarësimit në NATO deri në fund të këtij viti, nëse plotëson kushtin e përfundimit të reformës për shërbimet e zbulimit dhe nëse siguron një mbështetje më të lartë të qytetarëve të vet për këtë anëtarësim.

Top Channel