LSI zyrtarizon kandidatët. Meta: Pas 21 qershorit, pushtet lokal real

15/04/2015 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zyrtarizuar pasditen e së mërkurës kandidatët për 15 bashki të vendit që do të përfaqësohen nga kjo forcë politike në kuadër të koalicionit të majtë në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka renditur kandidaturat në fjalë. “Bashkë me kandidaturat tona, që do t’i paraqiten koalicionit, u përcaktua edhe programi elektoral”, ka deklaruar Vasili. 

Më herët, në fjalën e tij para kryesisë, kryetari Ilir Meta e vuri theksin tek risia që sipas tij sjell mbajtja e zgjedhjeve lokale me reformën e re administrativo-territoriale, e cila sipas tij do ta shkëpusë pushtetin vendor nga vartësia politike.

“Reforma territoriale do të sjellë një qetësi të re dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Për herë të parë pushteti vendor do të jetë real, konkret dhe krijues për t’i sjellë zhvillim komuniteteve”, deklaroi Meta.

Një tjetër risi sipas numrit dy të mazhorancës do të jetë barazia gjinore, e cila sipas tij do të jetë e pranishme në çdo këshill bashkiakë.

“Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme sepse do tregojnë vullnetin e mazhorancës për të respektuar votën e qytetarit. Vota e qytetarit është më e rëndësishme se rezultati, ndaj këto zgjedhje do të jenë pozitive për të gjithë”, tha Meta.

Pasi dha garancinë e tij për një fushatë zgjedhore transparente, kryetari i Kuvendit saktësoi se, në kuadër të koalicionit me PS kandidatët janë të përbashkët.

Kandidatët e LSI

Lezhë – Vikor Tusha

Gjirokastër –  Zamira Rami

Berat – Petrit Sina

Kukës – Hasan Halili

Pogradec – Diana Mile

Përrenjas – Miranda Rira

Kuçovë – Selfo Kapllani

Bulqizë – Milaim Damazi

Cerrik – Altin Toska

Selenice – Kasëm Cene

Vorë – Luan Sallaku

Mallakastër  – Shyqyri Kapllani

Skrapar – Nesim Spahiu

Delvinë – Rigels Balili

Kolonjë – Arben Malo

Top Channel