Kur jeta të vë me shpatulla pas murit, por sërish nuk dorëzohesh

15/04/2015 00:00

18 vite më parë, jeta e Ndrek Ismailit ndryshoi plotësisht. Ai nuk e dinte se gjërat do të merrnin një tjetër rrjedhë, mesditën e 17 Gushtit të vitit 1997.

Pasi kishte hipur në një lartësi për të riparuar kabllot e energjisë elektrike, Ndreka bie duke mbetur i paralizuar. Megjithatë, jeta nuk e mposhti…

Falë bashkëshortes Rakela mundi ta kalonte momentin e vështirë. Në atë kohë, çifti sapo ishte gëzuar me djalë, i cili ende nuk e dinte se babai i tij nuk do të ecte më.

Të dy vinin nga familje tradicionale shqiptare. Ai nga Tropoja, kurse ajo nga Vlora. Ishin njohur gjatë universitetit dhe kishin vite bashkë. Familja ishte primare, kështu që falë dashurisë, respektit për njëri-tjetrin, ata mbetën të bashkuar, duke forcuar madje më shumë lidhjen.

Sot, Ndreka është kryetar i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, ndërsa Rakela punon si juriste në një institucion shtetëror. Investimi më i madh për ta tashmë është djali, Randis, sot 19 vjeç. I riu mbaroi shkollën e mesme “Ismail Qemali” me mesatare 9.9.

Aktualisht vazhdon shkollën e lartë në degën e Shkencave Politike, sërish me rezultate shumë të mira. Paçka problemeve të fillimit, duket se stuhia në këtë familje ka kaluar. Ata na japin të gjithëve një leksion të madh.

Kur dashuria midis dy partnerëve është e fortë, asgjë nuk mundet t’i ndajë. As aksidentet e papritura të jetës. Familja për ta është gjëja më e shtrenjtë, dhe sprova që kaluan tregoi sesa e fortë është kjo lidhje…

Top Channel