Kur dashuria mjafton dhe “nuk i sheh” pengesat

15/04/2015 00:00

A mund të dashurohesh me një zë? Sa e fortë është lidhja, kur nuk e sheh partnerin? Klodi dhe Teuta janë shembulli i një dashurie të tillë…

Që nga lindja ai është i verbër, por kjo nuk e ka penguar që të njihet dhe më pas të martohet me gruan e jetës së tij, Teutën. Edhe pse ajo është normale, ndienja e fortë për Klodin bëri që t’i thoshte “Po” propozimit për martesë.

Çifti ka 7 vite bashkë dhe, në asnjë moment raporti i tyre nuk ka provuar luhatje. 6 muaj më parë erdhi në jetë fryti i dashurisë së tyre, Klearti.

Vështirësitë e përditshme nuk mungojnë, por falë përkushtimit reciprok të dy kanë mundur të përshtaten me njëri-tjetrin, duke parë përtej problemeve fizike.

Çifti shkodran, aktualisht vazhdon studimet në nivelin master për Marrëdhënie me Publikun dhe Psikologji. Harmonia mes tyre është e admirueshme. Mjafton të kalosh pak momente me ta dhe e kupton se humori i famshëm shkodran është pjesë e përditshmërisë.

Kohën e lirë preferojnë ta kalojnë te Liqeni Artificial, apo me shoqërinë. Janë të ndërgjegjshëm se, për shumë njerëz, martesa e tyre shihen si e pazakontë, por kjo pak rëndësi ka. Ata janë të lumtur dhe as që iu intereson opinioni i të tjerëve.

Si prindër të rinj, lumturia më e madhe pa asnjë diskutim është djali, i cili po rritet me shumë dashuri dhe përkushtim…

Top Channel