Wolff përgënjeshtron veten: Pilotët, të lirë të duelojnë. Ferrari, kërcënim konstant

15/04/2015 00:00

“Ferrari do të jetë një rrezik i vazhdueshëm përgjatë gjithë sezonit”. Kështu është shprehur Toto Wolff, drejtor teknik i Mercedesit, i cili është i bindur se “kokëkuqja” jo rastësisht ka siguruar 3 podiume radhazi, përfshi suksesin e Vettel në Malajzi, por mund t’i shqetësojë seriozisht “shigjetat e argjendta” gjatë këtij sezoni.

“Çmimi i Madh i Kinës – shprehet Wolff, – ka konfirmuar se Ferrari është një rrezik i vazhdueshëm pavarësisht kushteve të ndryshme në të cilat zhvillohen garat. Më qartë, jo vetëm kur bën shumë nxehtë, ndaj dhe ne duhet të jemi vigjilentë për t’u përballur me sfida të reja, duke parë që kemi një rival shumë pranë nivelit tonë të performancës. Pas kambanës së alarmit në Malajzi, u zgjuam dhe ishte bukur të shihje sesi ekipi përballoi garën e zhvilluar në Shangai. Jemi përmirësuar dhe kemi demonstruar forcë me dy vendet e para që siguruam”.

Në prag të garës së radhës, asaj për Çmimin e Madh të Bahreinit, që do të zhvillohet të dielën e 19 Prillit, jo gjithçka duket në vijë në shtëpinë e Mercedesit, duke parë tensionin gjithnjë e në rritje mes dy pilotëve, Hamilton dhe Rosberg.

“Kemi vërejtur shfaqje tensioni mes tyre gjatë garës, por e kemi adresuar menjëherë situatën për të evituar vijimin e saj, – thotë Wolff. – Kur ka konkurrencë shumë të fortë është normale që emocionet të jenë më intensive, gjë të cilën nuk kemi për objektiv ta riparojmë. Të dy pilotët janë të përqëndruar për të bërë më të mirën në Bahrein. Ne do të bëjmë gjithçka të mundur për të përshtatur makinat sipas pistës. Do të vazhdojmë me filozofinë tonë për t’i lënë të lirë pilotët që të garojnë edhe mes tyre, por të dy ata e dinë se fitorja e Mercedesit është prioriteti numër 1”.

Top Channel