Atleti-Real, Mandzukic: Ishte derbi, por nuk më kafshuan

15/04/2015 00:00

Sfida e mbrëmjes së të martës, mes Atletico Madrid dhe Real Madrid në çerekfinalet e Champions League, pavarësisht se nuk bëri bujë për rezultatin e saj, për shkak se rrjetat nuk u prekën, mbetet ende tepër e komentuar nëpër rrjetet sociale dhe mediet sportive botërore.

Në qendër të vëmendjes u vu një “incident”, që shumëkush e krahasoi me atë mes Luis Suarezit dhe Giorgio Chiellinit (Uruguaj-Itali, Brazil 2014), që ndodhi mes Mario Mandzukic, sulmuesit kroat të Atleticos, dhe Dani Carvajal, mbrojtës i “Los Blancos”-ve.

Sipas versionit të kroatit, fakt i vetëm i ngjarjes së ndodhur në “Calderon” është rivaliteti i shfaqur mes dy ekipeve të Madridit si gjithnjë, që vetëm sa i kaloi paksa kufijtë me një goditje të mbrojtësit merengues ndaj tij.

“Nuk ka asnjë motiv për të shkaktuar polemika. Nuk jam kafshuar, madje nuk ndodhi asgjë – shpjegon lojtari i përfaqësueses së Kroacisë në “Twitter. – Ndeshja e djeshme ishte tepër e fortë dhe të dyja skuadrat dhanë maksimumin, por asgjë më shumë”.

Carvajal, nga ana e tij kishte mohuar episodin, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes. “Jam akuzuar sikur të kisha kafshuar një lojtar të ekipit kundërshtar, por dua të sqaroj se asgjë nuk është e vërtetë, madje as nuk e kam çuar ndërmend ta bëja diçka të tillë”.

Top Channel