KE “gozhdon” Google: Konkurrencë të pandershme

15/04/2015 00:00

Komisioni Europian avancoi veprimet kundër “Google”, duke i dërguar formalisht një “deklaratë të kundërshtive”, e cila përmban listën e ankesave të Brukselit ndaj kompanisë amerikane, si dhe nisi një hetim të veçantë mbi sistemin e tij operativ të lëvizshëm, “Android”.

Hetimet paraprake ndaj “Google” nisën 5 vite më parë, ndërsa gjiganti i kërkimeve në internet akuzohet për “abuzim të pozicionit dominues në zonën ekonomike europiane”.

Në gjetjet e Komisionit rezulton se, “Google” ushtron praktika antikonkurrencë me promovimet e bëra në shërbimet e specializuara të kërkimit që ofron. Pakënaqësia i referohet të ashtuquajturit “Google shopping”, një shërbim online që krahason çmimet nga shitës të ndryshëm, por sipas Komisioneres së BE-së për Konkurrencën, kompania ka devijuar trafikun nga rivalët dhe shfaq dukshëm e sistematikisht, shërbimet e veta në krye të rezultateve, edhe kur ato nuk kanë lidhje me çështjen fillestare, në shkelje të rregullave të tregut të BE-së.

“Google ka rritur praninë e tij në mënyrë artificiale për krahasimet e tregjeve dhe, si rezultat, konsumatorët nuk shohin domosdoshmërisht atë që iu intereson, ose konkurrentët e Google nuk kanë mundësi tregtare për shërbimet e tyre inovative, siç u takon. Prandaj, gjetjet tona paraprake tregojnë se, në këtë rast, dominimi te një treg është përdorur për të krijuar avantazh në një tjetër treg. Nuk ka lidhje nëse kompania është europiane, amerikane, kineze a çfarëdo. Nëse doni të konkurroni në tregun europian, duhet t’iu nënshtroheni rregullave europiane të konkurrencës”, tha Margrethe Vestager, Komisionere e BE-së për Konkurrencën.

“Google” ka 10 javë kohë për t’iu përgjigjur me shkrim Komisionit Europian dhe, në rast abuzimi rrezikon të gjobitet deri me 10% të xhiros së fundit vjetore. Kjo shumë vlerësohet mbi 6 miliardë euro, në bazë të deklarimit të të ardhurave nga kompania amerikane për 2014-n. Shkelja do t’u lejonte rregullatorëve europianë zgjerimin e hetimit edhe në fusha të tjera të specializuara të kërkimit, si për hotele, fluturime dhe harta, dhe rasti mund të krijonte një precedent për zbatimin e rregullave të BE-së kundër konkurrencës.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel