PD zyrtarizon Enkelejd Alibeaj për Bashkinë e Fierit

15/04/2015 00:00

Partia Demokratike ka zyrtarizuar mbrëmjen e së mërkurës kandidaturën e saj për Bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj është një figurë e spikatur e PD, pasi ka qenë deputet i saj dhe ministër i Drejtësisë për disa vjet. Në këtë sfidë ai përballet me një tjetër jurist, deputetin e PS, Armando Subashi.

Më herët gjatë ditës, Partia Demokratike përmes kryetarit Lulzim Basha zyrtarizoi kandidaturën e Grida Dumës për Bashkinë e Durrësit.

“Zgjedhja e PD dhe aleatëve tanë pa asnjë rezervë shkon tek një vajzë Durrësi, tek një nënë Durrësi dhe një fytyrë emblematike e nisjes së re të demokratëve. Një intelektuale e kalibrit europian, akademike e shkëlqyer, studiuese, politikane e dashur dhe e admiruar nga durrsakët dhe gjithë shqiptarët, administratore e sprovuar, bija juaj, kandidatja juaj dhe kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Durrësit”, deklaroi kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

“Po kthehem sepse Durrësi e meriton t’i rikthehet qytetaria. I kanë gjykuar durrsakët si të frikshëm në votime dhe në zgjedhje sepse të penalizojnë fort në heshtje, në mënyrë qytetarë atëherë kur nuk ka vlera. Unë jam e bindur që do të fillojmë që sot një etapë tjetër, për Durrësin, për ata qytetarë që e ndjejnë në gjak siç është, për ata qindra-mijëra që kthehen këtu sepse e shohin si shpresë, do kthejmë shpresën e metropolit të dytë të Shqipërisë”, tha nga ana e saj Duma.

Tani mbetet për t’u bërë publik edhe emri i kandidatit për Bashkinë e Tiranës. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht, vendimi në selinë blu është marrë.

Ai do të jetë Halim Kosova, i cili ka qenë në krye të listës që kur nisi procesi i diskutimit të kandidatëve për Tiranën dhe në të gjitha sondazhet e brendshme të Partisë Demokratike, ai është kandidati që kuotohej më lart se të gjithë.

Top Channel