Lorik Cana dëshmitar në KAS: Duam 3 pikët, nuk kemi pse ulim kokën

16/04/2015 00:00

Sot fillon akti i fundit i drejtësisë sa i përket ngjarjes së rëndë të ndodhur në Beograd më 14 tetor.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv fillon seancën e parë dëgjimore ditën e sotme me palën serbe, e cila kërkon 3 pikët e ndeshjes apo ndoshta riluajtjen e saj, ndërkohë që nga nesër pala shqiptare do të fillojë ofensivën vendimtare për të fituar atë që na u mohua nga dy shkallët e drejtësisë sportive të UEFA-s, 3-pikëshit në tavolinë.

Vendimi i fundit i organit më të lartë të futbollit europian për t’i dhënë 3 pikët Rusisë për goditjen e portierit në ndeshjen me Malin e Zi, ka zhgënjyer ndjeshëm Shqiptarët, për përdorimin e dy standardeve.

Lorik Cana, kapiteni i përfaqësueses sonë, në një intervistë për Top Channel tregon se nga sot do të jetë në Lozanë, në cilësinë e dëshmitarit, për të marrë të drejtën e pakundërshtueshme për gjithçka na u mohua.

“Zhgënjimi më i madh është që vetë UEFA, e cila është organi kryesor i futbollit europian dhe organizuesi i këtyre garave dhe i këtij kompeticioni, nuk ka mbajtur vlerat që ajo i promovon çdo ditë. Është e vërtetë që Federata ruse ka më shumë fuqi brenda organeve ndërkombëtare. Fatkeqësisht pesha e Shqipërisë nuk është në këto nivele, megjithatë kombëtarja shqiptare po rritet çdo ditë e më shumë dhe kjo bën që Shqipëria të dëgjohet më shumë. Dy ngjarjet që kanë ndodhur janë absolutisht të pakrahasueshme”, shprehet kapiteni i Kombëtares sonë të futbollit, Lorik Cana.

Pozita e Shqipërisë në grup aktualisht është e favorshme, aq sa ndonjëherë mendohet që është një pozitë më e mirë se sa riluajtja e ndeshjes, e cila mund të krijojë situata të cilat edhe mund të na komplikojnë ecurinë. Por gjithsesi, për Lorik Canën, ne nuk i trembemi as riluajtjes, por nuk kemi pse tërhiqemi nga objektivi kryesorë i 3-pikëshit.

“Ne kemi të drejtë të kërkojmë 3-pikëshin që na takon, ndërsa në aspektin sportiv ne e kemi një pikë të fituar në fushën e lojës dhe kjo është realitet. Unë nuk besoj të merret një vendim tjetër, megjithatë Shqipëria është e aftë të përballet me çdo lloj kundërshtari. Shqipëria nuk është më e mirë se ekipet e tjera të grupit, por nuk është as më e dobët. Ne nuk kemi frikë asnjë përsëritje të ndeshjes, asnjë kundërshtari nuk i trembemi, por e drejta jonë janë 3 pikët në tavolinë dhe ne do ta mbrojmë këtë. Shqipëria nuk do ta ulë kokën”, përfundon Lorik Cana.

Top Channel