Basha takon përfaqësuesit e ODIHR-it: Qeveria po shkel standardet zgjedhore

16/04/2015 00:00

Partia Demokratike e denoncoi Qeverinë përpara ODIHR-it, si shkaktare të qëllimtë të një situate, që nuk krijon klimë të favorshme për zgjedhje të lira e të ndershme.

Në një takim me misionin paraprak faktmbledhës të ODIHR-it për zgjedhjet, kreu i opozitës Lulzim Basha renditi 5 argumenta, përse Qeveria ka cënuar dhe po vazhdon të cënojë, sipas tij, standardin e zgjedhjeve.

Sipas zotit Basha, ndarja administrative ishte një proces i njëanshëm dhe, si asnjëherë më parë pa konsensus me opozitën, për faktin e vetëm sepse, siç thotë opozita, ndarja është bërë sipas llogaritjeve elektorale, duke e dëmtuar që në nisje garën e ndershme e të barabartë.

Argumenti tjetër, që cënon klimën zgjedhore në këndvështrimin e kryetarit të Partisë Demokratike, është mungesa e vullnetit të mazhorancës për të ecur me procesin e dekriminalizimit dhe shenjat e qarta për këtë, sipas Bashës, janë përfshirja në zgjedhje si kandidatë të personave me precedentë të rëndë penalë.

Lulzim Basha i tha misionit të ODIHR-it se, zgjedhjet e 2013-s dëshmuan se personat e inkriminuar, që u afruan me mazhorancën e sotme dëmtuan rëndë standardet, duke blerë vota dhe duke shantazhuar qytetarët.

Për herë të parë, opozita denoncoi edhe një fakt, që lidhet me punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas zotit Basha, mbi KQZ-në po ushtrohet presion i vazhdueshëm nga Qeveria, gjë që e cilësoi një akt të rëndë, që dëmton frymën e procesit.

Në takimin me misionin e ODIHR-it, kreu i opozitës ngriti shqetësimin se krerët e mazhorancës, Rama dhe Meta po shkojnë në zgjedhje me skemën e blerjes së votës, të faktuar sipas Bashës në zgjedhjet e pjesshme në Korçë, e amnistuar më vonë me ndërhyrjen e Qeverisë.

Kryetari i Partisë Demokratike u kërkoi përfaqësuesve të ODIHR-it, që të sjellin në Shqipëri për zgjedhjet e 21 Qershorit misionin më të madh të mundshëm, duke parë premisat aspak të mira për zgjedhje të lira e të ndershme.

Lulzim Basha i tha misionit faktmbledhës të ODIHR-it se, prania sa më e madhe e vëzhguesve do të ndihmonte për ruajtjen e standardeve dhe shmangien e pasojave, që mund të vijnë nga cënimi i votës së qytetarëve.

Top Channel