Dule: PS dhe PD po paguajnë militantët me paratë e taksapaguesve

16/04/2015 00:00

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në një deklaratë për mediat të mbajtur paraditen e së enjtes ka akuzuar dy partitë e mëdha të skenës politike se kanë nisur përpjekjet për manipulimin e zgjedhjeve.

“Dy partitë e mëdha, PD dhe PS, po vijnë në fushën e betejës elektorale me 225 militantët më të flaktë. Këta militantë vijnë në këtë betejë të paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ata do të quhen anëtare të KZAZ-ve dhe në zgjedhjet e radhës do të bëjnë punën për të cilën janë paguar. Kjo nuk është të shkosh në zgjedhje në kushte të barabarta dhe të garosh në to”, ka deklaruar Dule.

Nënkryetari i Kuvendit, i cili përfaqëson interesat e minoritetit grek në vend, ka bërë gjithashtu me dije se, PBDNJ javën që vjen do të hyjë në fushatën elektorale me programet e saj.

“Krahas programit tonë për bashkitë ku jemi të pranishëm do të përpiqemi të jemi në të gjitha 61 bashkitë e vendit, sikurse rezulton nga ndarja e re territoriale administrative, të paktën në këshillat bashkiakë”, ka thënë Dule.

“Nëse do të kemi pajtim për kandidatë përpara zgjedhjeve, atëherë do të kemi edhe një marrëveshje me PS. Në të kundërt, jo”, ka vijuar ai.

Dule ka shtuar më tej se partia e tij nuk ka qenë kundër reformës territoriale, por mënyrës se si ajo u realizua.

Top Channel