USAID, marrëveshje për grante me 8 OJQ për ndihmë komunitare

16/04/2015 00:00

USAID dhe organizata “Assist Impact” nënshkruan 8 marrëveshje për
grante, synimi i të cilave është rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në
vendim-marrje, forcimi i rolit të komunitetit dhe rritja e
përgjegjshmërisë së zyrtarëve publikë.

“Assist Impact” po zbaton në Shqipëri projektin 3-vjeçar për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, që sipas USAID, mbështet OJQ-të vendore, agjencitë qeveritare dhe shoqatat e biznesit që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të punojnë në mënyrë më efektive. Si pjesë e këtij projekti, sikurse bëri të ditur USAID përmes një njoftimi për shtyp, “Assist Impact” ka përzgjedhur 8 OJQ nga e gjithë Shqipëria.

-“Partnerë për Fëmijët”, në bashkëpunim më Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të zbatojnë në Dibër, projektin pilot “Shkollat si Qendra Komunitare”, duke synuar fuqizimin e të rinjve për të marrë pjesë në jetën politike të komunitetit të tyre’

-Instituti Shqiptar i Shkencës do të promovojë përgjegjësinë dhe transparencën, duke ofruar akses tek të dhëna të mirë-strukturuara lidhur më pasuritë e deklaruara nga politikanët dhe zyrtarët e sistemit gjyqësor, pasuritë publike si dhe të dhënat e shpenzimeve publike;

-Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative do të forcojë gazetarinë investigative të pavarur dhe profesionale, si një mënyrë për të rritur përgjegjshmërinë, transparencën dhe ngritjen e mekanizamave anti-korrupsion lidhur me procedurat e Prokurimit Publik;

-Qendra për Kërkim, Bashkëpunim dhe Zhvillim do të përgatisë udhëzues për votimet, do të organizojë debate publike elektorale;

-“Meridia” do të punojë me gratë dhe vajzat, pas lirimit nga institucionet e burgimit, për ri-integrimin e tyre në shoqëri, duke u ofruar trajnime dhe mundësi punësimi;

-“Hapa të Lehtë” do të punojë në Shkodër dhe Pukë për të rritur pjesmarrjen e qytetarëve ne procesin e vendim-marrjes, nëpërmjet vlerësimit të komunitetit për qeverisjen vendore;
 
-Rrjeti i Gruas “Barazi ne Vendim-marrje” do të punojë për ngritjen e zërit të grave eksperte nëpërmjet medias, duke theksuar rëndësinë e pjesmarrjes së tyre në politikë, në Bashkitë e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës;

-Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për disa institucione publike në Bashkitë e Tiranës, Korçës dhe Elbasanit.

Top Channel