Tragjeditë në Mesdhe nuk e zbehin fluksin e klandestinëve

16/04/2015 00:00

400 vetë mendohet të kenë humbur jetën në ujërat e detit Mesdhe dy ditë
më parë; me mijëra të tjerë kanë vdekur ndër vite, në përpjekjet për të
mbërritur brigjet e Europës.

Historitë e vuajtjeve të parrëfyeshme në ujërat mes Afrikës së Veriut dhe Italisë, normalisht duhet t’i shtynin emigrantët të mendohen dy herë përpara se të ndërrmarrin një udhëtim, të cilin edhe mund të mos e çojnë deri në fund. E megjithatë, fluksi i klandestinëve jo vetëm nuk është zbehur, por përkundrazi, ka marrë hov të paprecedent.

Vetëm këto 10 ditë, numri i refugjatëve të mbërritur nga Libia në Itali është 10 mijë. Po çfarë i shtyn këta njërez t’i hyjnë një rrugëtimi të tillë të dëshpëruar pa asnjë garanci se do ta përfundojnë të gjallë?

‘O hyj në Europë, o vdes!- i tha CNN-it njëri prej 117 emigrantëve, shumica nga Afrika Subsahariane, që mbërrinin dje në portin e Augustas, në Siçili. Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, IOM, tregojnë, se që prej vitit 2000, pothuajse 22 mijë vetë kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut.

Të vdekurit është e qartë se janë me mijëra, por akoma më të shumtë janë ata që kanë mbijetuar dhe, në vendet e tyre të lindjes, përcjellin mesazhin e jetës më të mirë që pret në kontinentin e vjetër këdo që është i gatshëm të sakrifikojë.

Timoti, tek të 20-at vjen nga Nigeria. Gazetarit të CNN-it ai i tregoi se ishte larguar nga shtëpia 9 muaj më parë. Trafikantëve në Tripoli u ka paguar për udhëtimin 1.000 dinarë libianë apo mbi 700 dollarë, çka për të riun nigerian, është një pasuri e vërtetë. Një tjetër i intervistuar, Jibrili 28 vjeç nga Gambia, shpjegon se në vendin e tij, pas moshës 20-25 vjeç duhet të krijosh të ardhmen tënde dhe kjo për të ishte e pamundur.

Familja e vet jeton në skamje e nuk ka ç’t’i japë. Dikush thotë se e tmerron avancimi i ISIS-it. Në brigjet e Italisë me pak fjalë, janë duke zbarkuar viktimat e mjerimit dhe të frikës, dhe me luftrat, skamjen e padrejtësitë që janë ulur këmbëkryq në rajon, shumë të tjerë do të vazhdojnë të mbërrijnë, thotë CNN, në një mënyrë apo një tjetër.

Top Channel