Piktori shqiptar rikthehet në Beograd

16/04/2015 00:00

Gjelosh Gjokaj është kthyer në kryeqytetin serb. Piktori i njohur shqiptar nga Mali i Zi dikur jetonte me familjen që herët në Serbi dhe aty kishte nisur karrierën duke pikturuar motivet e kësaj zone.

Më vonë ai u bë i famshëm në vendet e tjera. Në Itali, në vitin 1977 u shpall piktori i vitit. Për t’u lidhur sërish me fillimet e tij, në galerinë “Haos”, në qendër të Beogradit, është hapur ekspozita e tij.

“Pas kaq viteve kjo galeri më organizoi ekspozitën me punimet e fundit. Jam shumë i kënaqur sepse kam takuar shumë miq që kam studiuar me ta e që kanë dashur artin tim”, thotë Gjokaj.

Gjokaj aktualisht jeton në Gjermani dhe pas një rrugëtimi në ekspozita të shumta, në rreth 120 të tilla, dhe mirënjohjesh e vlerësimesh, ai beson se tani ka nisur një frymë e re e kthimit të miqësisë.

“Grafika ime ka hyrë në prezentacionin e ish-Jugosllavisë, kështu që gjithëmonë kam qenë i kënaqur. Megjithëse kam jetuar në Kosovë më kanë konsideruar si një graficien që duhet të prezantojë shtetin”, tregon Gjokaj.

Në kohët e dikurshme shumë intelektualë shqiptarë nga ish-Jugosllavia jetonin në Beograd. Piktori ka lënë gjurmë edhe në Kosovë, ku ka themeluar degën e grafikës.

Top Channel