“Azilantët” zbrazin Shishtavecin

16/04/2015 00:00

Qindra banorë të komunës Shishtavec në Kukës, janë larguar nga shtëpitë e
tyre, me qëllim emigrimin drejt vendeve Europiane dhe kryesisht ne
Gjermani.

Vetëm nga kjo komunë, e cila është e përbërë nga banorë të Gorës, janë larguar gjatë kësaj periudhe më shumë se 250 persona, të rinj dhe familjarë, çka sipas banorëve të tjerë të fshatit, pritet që shembullin e tyre ta ndjekin edhe shumë të tjerë. Largimi i tyre, sipas banorëve, ka ardhur për shkaqe ekonomike.

Vetë kryetari i komunës, Dilaman Nela thotë, se iu ka bërë thirrje banorëve që të mos largohen, mirëpo askush nuk e ka dëgjuar, pasi ata shpresojnë se në Gjermani do të gjejnë një jetë më të mirë. Por, shqetësimi më i madh i tij shkon për momentin e rikthimit të këtyre banorëve, nga vendet që kanë shkuar, duke qenë se nuk lejohet qëndrimi i tyre atje, pasi këtu ata kanë shitur pronat e tyre dhe kjo do shoqërohet me plagë sociale.

Në zonën e Shishtavecit, fenomeni i largimit ka vite që është shfaqur, ku shumë të rinj kanë emigruar drejt Anglisë, mirëpo tani, 250 persona kanë ikur drejt Gjermanisë. Komuna Shishtavec ka, të regjistruar, rreth 5 mijë banorë, por një pjesë e madhe e tyre jetojnë edhe në qytete të tjera të vendit dhe kthehen në vendlindje vetëm gjatë stinës së verës.

Top Channel