Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë: KQZ, mungesë transparence në publikimin e akteve të miratuara

16/04/2015 00:00

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, përmes një deklarate të shpërndarë sot
për mediat, ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mungesë
transparence dhe ndryshim të paligshëm të një akti të miratuar më parë.

KVV ka vënë në dukje se, përpos përmirësimeve të vërejtura, në punën e KQZ-së vazhdon të mbetet problematik mospublikimi i menjëhershëm dhe i plotë i akteve të miratuara në faqen zyrtare të KQZ-së në internet, si dhe mosvënia në dispozicion e akteve paraprake që do të shqyrtohen në mbledhje, as nëpërmjet faqes së internetit dhe as dorazi në sallën e mbledhjeve, përveçse përfaqësuesve të përhershëm të forcave politike.

“Pikërisht, një situatë e tillë mungese transparence dha mundësinë që në opinionin publik të kalojë shpejt dhe pa marrë vëmendjen e duhur, një akt i paprecedent i KQZ-së, ai i ndryshimit të përmbajtjes së një vendimi dhe akteve shoqëruese të tij në mënyrë të jashtëligjshme, pasi ai ishte miratuar dhe publikuar në faqen e internetit”, thuhet në deklaratën e KVV-së.

Sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, bëhet fjalë për vendimin nr. 88, datë 07. 04.2015 “Për miratimin e modeleve të kandidimit, që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015”.

“Në mbledhjen e datës 7 Prill 2015, KQZ-ja mori në shqyrtim projekt-vendimin në fjalë dhe pas shumë diskutimeve vendosi të miratojë të drejtën e këtyre të zgjedhurve për të kandiduar, pa qenë e nevojshme mbledhja e firmave të votuesve mbështetës, sikundër parashikohet për kandidatët e pavarur që aktualisht nuk kanë mandat si të zgjedhur të pushtetit vendor në bashki apo komunë” vëren KKV, sipas të cilit, pas publikimit në faqen zyrtare të KQZ-së në internet, më 8 prill 2015, 6 ditë më pas, më 14 prill, në mënyrë abuzive, totalisht të paligjshme dhe të paprecedentë, në faqen zyrtare të KQZ-së bëhen ndryshime në përmbajtjen e vendimit, si dhe preken 6 nga 15 modelet shoqëruese të këtij vendimi.

Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë, akti i ndryshimit arbitrar të përmbajtjes së vendimit të publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së në internet, pa u rimarrë në shqyrtim dhe pa u miratuar prej saj në seancë plenare, nuk mund të konsiderohet si një “gabim teknik”, por është pasqyrim i akteve të ndryshuara edhe në arkivin e KQZ-së, çka rëndon më tej situatën dhe kompromenton jo vetëm anëtarët e KQZ-së, por edhe administratën e saj, dhe në veçanti pozitën e dy krerëve të KQZ-së si dhe të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili është përgjegjës për publikimin e akteve të KQZ-së.

Koalicioni e konsideron këtë rast si “një precedent mjaft të rrezikëshëm për ecurinë në vazhdimësi të procesit zgjedhor si dhe të praktikës institucionale të KQZ-së, i kërkon urgjentisht secilit prej anëtarëve të trupës së KQZ-së të shprehë publikisht qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje”.

Top Channel