Sfilata e fundit e Gisele Bundchen

16/04/2015 00:00

Në San Paolo, Gisele Bundchen u ka thënë zyrtarisht lamtumirë pasarelave. Top modelja braziliane sfiloi për herë të fundit për shtëpinë e modës “Colcci”, e të cilës është dhe ikona.

“Kam mësuar të njoh sinjalet e trupit tim dhe e kuptova se kishte ardhur momenti që të ndaloja”, ka thënë Bundchen.

Pas 20 vitesh karrierë, modelja më e vlerësuar nga stilistët ka sqaruar se dëshiron të vazhdojë punën, por jo në pasarelë.

“Dua të shoh projekte të reja dhe të kaloj më shumë kohë me familjen”, ka thënë ajo.

Gisele është e martuar nga viti 2009 me yllin e futbollit amerikan Tom Brady, me të cilin ka dy fëmijë, Benjamin, 5 dhe Vivian, 2 vjeç.

Ndërkohë, të ardhurat e grumbulluara prej saj janë kolosale. Sipas revistës “Forbes”, Bundchen, aktualisht 34 vjeç, ka grumbulluar plot 47 milionë dollarë nga qershori 2013 deri në qershor 2014, duke u konfirmuar për të tetën herë rresht si modelja më e paguar.

Top Channel