Kuvend, debati për mandatin e Kokëdhimës

16/04/2015 00:00

Kërkesa e opozitës për të çuar në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, ashtu siç pritej është shdërruar në betejën jo vetëm ligjore dhe politike të palëve.

“Në momentin që ka qenë deputet ka përfituar fonde publike dhe këtë e keni të provuar”, tha deputeti demokrat Arben Ristani.

“Deputeti Kokëdhima nuk ka lidhur ndonjë kontratë, pasi është shpallur deputet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, reagoi deputetja socialiste Vasilika Hysi.

“Edhe sikur ta pranojmë që deputeti Kokëdhima është i pastër, le ta gjykojë Kushtetuesja dhe të na e rrëzojë kërkesën”, shtoi më tej Ristani.

“Të jesh aksioner do të thotë se këta njerëz kanë punuar dhe kanë zgjedhur për t’u pasuruar rrugën e punës dhe të djersës”, foli vetë deputeti socialist, Koço Kokëdhima.

“Siç e patë, Koço u mundua të na e shkoqiste çështjen, por unë besoj se u ngatërrua më tepër”, deklaroi Ristani nga foltorja e Kuvendit.

“Ristani është nip në fshatin tim. Gjyshi i Ristanit ishte kushëri i parë me gjyshin tim. Kam një këshillë për ty Arben, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë komision, ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë. Një herë si nip në fshatin tim, një herë si kushëri i imi dhe një herë si deputet i opozitës”, tha deputeti Kokëdhima.

“M’u kujtua një shprehje e të parëve të mi, që thoshin se në fshat ka qenë rregull të mos bënin krushqi, e kishin të ndaluar të bënin krushqi me Kokëdhimajt. Tani që unë shoh Koçon, kuptoj se pse të parët e mi kanë pasur të drejtë”, reagoi Ristani.

“Për zgjedhjet vendore do dilni 5-0 dhe do ta shporrim nga kujtesa e popullit tonë, kujtimin e keq të asaj qeverisjeje të ndyrë, që ju i rezervuat vendit në përgjithësi dhe jugut të vendit në veçanti”, tha më tej Kokëdhima.

Qëndrimi i mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e demokratëve në rastin e Kokëdhimës, ka çuar në largimin e ish-kryeministrit Berisha nga salla.

Por nuk ka mundur ta mbajë zotimin për të mos qenë prezent në këtë seancë, ku shqyrtohet mandati i deputetit socialist, që ish-kryeministri e ka pasur shpesh shënjestër të denoncimeve të tij. Pasi është rikthyer në seancë, beteja e deklaratave u bë mes të dyve.

“Shkojmë në Gjykatë Kushtetuese dhe mbroji të gjitha. Po fitove, ke të drejtë 24 orë fjalim këtu kundër Sali Berishës”, tha vetë deputeti demokrat Berisha.

“Ti zotëri grabite 10 mijë hektarë tokë dhe sekserët e tu, që grabitën këto toka ishin pikërisht fëmijët e tu”, replikoi Kokëdhima.

“Çdo metër katror që të gjesh timen apo të familjes sime, e ke të falur në çdp skaj të vendit, nga Rrogozhina deri në Konispol”, u përgjigj Berisha.

“Nuk iu marr dorën juve se ku shkoj unë. Përfaqësoj popullin e zonës sime dhe do t’iua jap përgjigjen prapë më 21 Qershor, 5-0 përsëri. Do mundesh keq Sali”, tha Kokëdhima.

“Për fytyrën tënde, ti e poshtëron këtë shumicë dhe e personalizon atë me veten tënde, vetëm e vetëm për lidhjet e 1000-llojta që ke me sivllaun tënd Edi Rama. Lidhjet e tua me Edi Ramën janë lidhje nga më mistiket, te më të çuditshmet dhe më të paimagjinueshmet”, u shpreh Berisha.

Vetëm gjatë shqyrtimit të çështjes Kokëdhima, salla e Kuvendit ka qenë e populluar, ndërsa në pjesën tjetër deputetët kanë qëndruar jashtë saj, në seancën që i paraprin shpalljes së kandidatëve për Tiranën, nga dy partitë e mëdha.

Top Channel