Kuvendi i Kosovës, debate të ashpra për protestën e opozitës

16/04/2015 00:00

Përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës kanë zhvilluar një debat të ashpër për motivet e protestës të thirrur nga opozita më datë 18 prill.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri e akuzoi kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij Hashim Thaçi se po manipulojnë opinionin, duke deklaruar se protesta e së shtunës do të jetë e dhunshme. Ymeri tha se Mustafa tashmë është kapur nga PDK dhe po mbron Shërbimin Informativ të Kosovës.

“Që prej vitit 2011 në Kuvendin e Republikës kërkohet vazhdimisht nga deputetët që të hetohet veprimtaria e SHIK-ut. Isa Mustafa asnjëherë nuk i lejoi deputetët e LDK-së që ta mbështesin këtë iniciativë. Madje, në mbledhjen e grupit, pasi u bë kryeministër, raportohet t’i ketë kërcënuar me përjashtim ata që mbështetën iniciativën përkundër vullnetit të tij. Me uljen në karriken e kryeministrit, të paktën elektorati i LDK-së ka pritur që Mustafa ta mbajë qëndrimin e njëjtë për SHIK-un dhe të angazhohet në çlirimin e shtetit nga zaptimi. Por ky u shndërrua në apologjinë kryesore të tyre. Nuk ka mundur asnjëherë Veseli të bëjë më shumë për shpërlarjen e SHIK-ut sesa ka bërë dhe po bën Mustafa që kur u bë kryeministër”, deklaroi Ymeri.

Menjëherë pas Ymerit reaguan kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi, duke akuzuar Vetëvendosjen dhe partitë e tjera opozitare se bëjnë veprime të ngjashme me ato të shërbimeve informative.

“Sa i përket SHIK-ut, është mirë që edhe SHIK-ut tuaj t’ia bëjmë një komision. SHIK-ut të Vetëvendosjes, njerëzve që po u vendosni kamera dhe mikrofona. Sepse në qoftë se nuk keni SHIK, atëherë bëjeni një dhe pastaj i fusim në një pako dhe i hetojmë të gjithë”, replikoi Mustafa.

“Përsëri theksoj se që të treja ju partitë opozitare duhet të shikoni ato shërbimet tuaja represive partiake dhe pastaj të flisni për të tjerët. Faleminderit shumë”, tha shkurt Thaçi.

Thaçi shtoi se motivet e opozitës për protestën e së shtunës janë të paqëndrueshme, pasi sipas tij, kosovarët janë në vendin e parafundit për çmimin më të lirë të energjisë në Evropë.

Ndërsa duke folur për akuzat e opozitës për kapjen e televizionit publik nga pushteti, Thaçi tha se vetëm njëri nga liderët opozitarë ka të punësuar 12 familjarë në RTK.

Në seancën e së enjtes Kuvendi i Kosovës miratoi disa anëtarë të bordeve të institucioneve të pavarura dhe shqyrtoi disa projektligje.

Top Channel