Kosovë, gjyqtarët pezullojnë punën; kërkojnë kushte më të mira pune

16/04/2015 00:00

Punonjësit e disa prej institucioneve gjyqësore në Kosovë, të enjten kanë pezulluar punën për shkak të kushteve të vështira dhe të papërshtatshme të punës në Pallatin e ri të Drejtësisë, në Prishtinë.

Në më pak se një muaj nga përurimi i kësaj godine, me kosto mbi 30 milionë euro, janë shfaqur probleme nga të cilat janë lënduar punonjësit. Rasti i fundit i takon një dite më parë, kur tre nga punëtorët përfunduan në qendrën emergjente pas lëndimeve të marra nga një aksident në një prej ashensorëve të godinës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Gjyqësorit, Asllan Rusinovci tha se punën e kanë pezulluar punonjësit e Gjykatës Supreme, Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore, me kërkesë krijimin e kushteve bazë të punës.

“Duhet të bëhet matja dhe rregullimi i ajrosjes së zyrave sepse nuk ka ajrosje të mjaftueshme. Nuk ka kushte për punë, ujin e kemi të ndotur këtu. Mandej edhe rregullimi i ashensorëve, që është rasti i pestë që e kemi pasur dje. Për katër muaj kemi kërkuar dialog me qeverinë, me ministrin, më Këshilln e Gjyqsorit, me të gjithë dhe asnjë prej kërkesave tona nuk është realizuar”, tha Rusinovci.

Punonjësit që kanë pezulluar punën hasën probleme edhe gjatë kohës kur në shenjë proteste po qëndronin në oborrin e ndërtesës. Imrane Blaku, sekretare juridike në Gjykatën e Apelit, u lëndua tek një nga pusetat, e mbuluar vetëm nga një shtresë plastike.

“As që kemi mundur ta mendojmë sesi mund të ekzistojë një gropë e madhe këtu dhe të mos mbulohet si duhet, por të shkelë një person e të bjerë menjëherë aty. Brenda nuk kemi kurrfarë kushtesh, absolutisht. Nuk kemi as ajër, as ujë”, deklaroi Blaku.

Top Channel ka kontaktuar Ministrinë e Administratës Publike, atë të Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor, por asnjë nga këto institucione nuk ka marrë përgjegjësinë të japë sqarime për problemet në Pallatin e Drejtësisë. Madje, nga Ministria e Drejtësisë është thënë se duhet kontaktuar Komisionin Evropian i cili ka investuar mbi 25 milionë euro.

Edhe një ndër kompanitë kosovare, partnere në ndërtimin e godinës, e kontaktuar nga Tch tha se kontrata e saj ishte vetëm për ndërtimin bazë, duke shtuar se lider në realizimin e projektit ishte një kompani bullgare. I vetmi institucion që gjatë ditës ka vizituar punonjësit e pakënaqur është Inspektoriati i Punës.

Pallati i Drejtësisë u përurua muajin e kaluar nga kryeministri Mustafa dhe komisioneri evropian Johanes Han. Në të punojnë punonjës të të gjitha shkallëve të gjyqësorit, si dhe të prokurorive, përfshirë stafin e EULEX-it.

Top Channel