Kosovë, banorët e Çikatovës marrin eshtrat e familjarëve të vrarë

16/04/2015 00:00

Haki Morina nga fshati Çikatovë e Vjetër, në komunën e Drenasit, i kishte humbur shpresat se do t’i gjente ndonjëherë eshtrat e babait, Ganiut, i cili u vra bashkë më 20 bashkëvendas në prill të vitit 1999 nga forcat serbe.

Por 16 vite më pas, ai tashmë do t’ia dijë varrin. Hakiu e kapi arkivolin e babait të tij me shpresën se do ta shuante sado pak mallin për të, në ditën kur në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u bë pranim-dorëzimi i dokumentacionit dhe njoftimi i familjarëve të 21 të vrarëve nga Çikatova e Vjetër, të gjetur vitin e kaluar gjatë gërmimeve në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

Haki Morina rrëfen sesi e kishte varrosur para 16 viteve babanë e tij të vrarë, e më pas paramilitarët serbë e kishin zhvarrosur për t’i zhdukur gjurmët dhe eshtrat në varreza masive në Serbi.

“Eshtrat e dinim që ekzistonin, por doja të hiqja merakun dhe t’i shihja si janë. Ndihemi më të lehtësuar, sepse për 16 vjet e kemi kujtuar, kemi mbajtur përvjetore, por mungesa e eshtrave na kishte futur në dëshpërim të madh. Tani jemi më të lehtësuar”, u shpreh Morina.

Në mesin e 21 të vrarëve, eshtrat e të cilëve janë gjetur në Rudnicë e Rashkë, ishte edhe Tahir Morina, po nga Çikatova e Vjetër. Kur u vra, ai ishte 48 vjeç. Pas vetes la gruan dhe djalin 17 vjeç.

“Të gjithë thoshim, sikur t’iu gjenim eshtrat, vetëm eshtrat. Tani e dimë, u dimë edhe varret që të shkojmë e t’i kujtojmë”, tha Zelfije Morina, bashkëshortja e Tahirit.

Në pranim-dorëzimin e arkivolëve me eshtrat e 21 banorëve të Çikatovës së Vjetër, përfaqësues të institucioneve kosovare dhe zyrtarë të EULEX-it thanë se nuk do të ndalen së kërkuari edhe më tej të zhdukurit e luftës.

“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari, sepse në këto rajone dhe rajone të tjera të Kosovës ka të tjerë që mungojnë dhe së shpejti ne do të shkojmë të kërkojmë edhe në dy lokacione të tjera. Do të bëjmë vlerësimet gërmuese me ekipin e EULEX-it dhe me stafin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Rivarrimi i të ndjerëve do të bëhet të premten në fshatin Çikatovë e Vjetër, në Drenas.

Top Channel