Masters 1.000 Montekarlo, Federer eliminohet nga Monfils, Nadal dhe Djokovic në çerekfinale

16/04/2015 00:00

Roger Federer është surpriza e parë e turneut të Montekarlos. Tenisti zviceran u mund në dy sete nga francezi Gael Monfils, duke mos kaluar dot përtej 1/8-ve të finaleve. Rezultati i takimit: 6-4 dhe 7-6.

Federer, finalist i këtij turneu vitin e kaluar, e nis kështu shumë keq sezonin e turneve në pista dheu, aty ku ai gjithmonë ka hasur vështirësi. Roger Federer bëri 38 gabime dhe shënoi vetëm 17 goditje fituese.

Zvicerani ka arritur 4 herë në finalen e turneut të Montekarlos, por kurrë nuk ka arritur ta fitojë atë.

Tashmë, francezi Monfils do të ndeshet në çerekfinale me Grigor Dimitrov, i cili nga ana e tij mundi zviceranin tjetër, Stanislas Wawrinka, me rezultatin 6-1 dhe 6-2.

Ndërkohë, spanjolli Rafael Nadal ka kaluar në çerekfinale duke mundur me vështirësi amerikanin John Isner në tre sete: 7-6, 4-6 dhe 6-3. Edhe serbi Novak Djokovic ka kaluar në fazën tjetër pasi mundi në 1/8 austriakun Haider-Maurer në dy sete: 6-4 dhe 6-0.

Top Channel